E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Taksa e sheshtë" mbush arkën e shtetit me 7 miliardë lekë

Dy taksat e promovuara nga qeveria si dëshmi e lehtësisë fiskale ndaj bizneseve dhe punëmarrësve i kanë sjellë arkës së shtetit të ardhura të konsiderueshme. Bëhet fjalë për tatim-fitimin të përgjysmuar me 10 për qind dhe Tatimin mbi të Ardhurat Personale (TAP) të unifikuar po me 10 për qind, të cilat në pesëmujorin e parë të vitit 2008 i kanë sjellë buxhetit të shtetit rreth 7 miliardë lekë, kur në fakt duhet të kishte ndodhur e kundërta. TAP-i, i konsideruar si taksa që rëndon mbi xhepat e buxhetorëve, por edhe të punonjësve te privati, ka sjellë efektet e para pozitive për qeverinë, duke shtuar në buxhet 4.4 miliardë lekë më shumë se parashikimet e Ministrisë së Financave. Unifikimi i kësaj takse u kundërshtua ashpër nga forcat politike në opozitë, por edhe nga bizneset, pasi zbatimi i saj ul ndjeshëm pagën reale që merrte si punonjësi në shtet ashtu dhe ai në privat. Pesha e kësaj takse (TAP) në buxhet zuri vend të rëndësishëm, si rrjedhojë edhe e përdorimit të pagës referuese, një tjetër pikë debati mes qeverisë dhe bizneseve. Për periudhën janar-maj 2008, Tatimi mbi të Ardhurat Personale rezultoi në një nivel arkëtimi prej 216.5 për qind, në krahasim me vitin 2007. Për drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, "ky tatim gjithnjë e më shumë po luan një rol të rëndësishëm në realizimin e të ardhurave tatimore dhe po u afrohet parametrave të këtij lloji tatimi në vendet e tjera me buxhete dhe të ardhura të konsoliduara". Po në këtë kuadër, rritje të arkëtimeve ka pasur edhe tatimi mbi fitimin në masën 143.7 për qind ,ose 2.6 miliardë lekë më shumë. Për këtë lloj takse, qeveria priste rënie të të ardhurave nisur nga ulja e saj në nivelin e 10 për qind, nga 20 për qind që aplikohej në vitin 2007. Pavarësisht skemës, taksa rezultoi me sukses për administratën tatimore, e cila ia mbart vetes së saj suksesin. Në fakt, rritja e arkëtimit nga tatim-fitimi vjen kryesisht nga vlerësimet e tatimorëve për masën e fitimit që mund të kenë bizneset, duke ia vjelë taksën mbi bazën e një parashikimi.

Të ardhurat

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi dje se, në 5-mujorin e këtij viti është rritur performanca e administratës tatimore në përmbushjen e të gjitha objektivave të saj. Kështu, të ardhurat tatimore për pesëmujorin e parë të vitit 2008 janë realizuar në masën 123.7% krahasuar me vitin 2007, ose 11.2 miliardë lekë më shumë se viti 2007. Vetëm për muajin maj, tatimet rezultojnë me tejkalim në masën 490 milionë lekë mbi planin, ose 104.4 për qind. Krahasuar me muajin maj të vitit 2007 janë arkëtuar më shumë se 2 miliardë lekë, ose në masën 121.2 për qind. Për sa i takon Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) zë peshën kryesore të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Nga të dhënat zyrtare të bëra dje publike nga administrata tatimore, në periudhën janar-maj 2008, krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat bruto nga TVSH-ja rezultojnë në rreth 2.5 miliardë lekë më shumë, ose në masën 124.3 për qind. Sipas administratës tatimore, të ardhurat e rritura nga TVSH-ja nuk vijnë si rezultat i rritjes ekonomike, por i punës së bërë nga tatimorët.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›