Vlerësimi i INSIG, tenderi më 11 qershor
Një ditë pas shkrimit të gazetës "Shqip", se privatizimi i kompanisë shtetërore INSIG rrezikon të dështojë si efekt i mosrealizimit në kohë të tenderit për vlerësimin e aseteve, ka reaguar Ministria e Financave. Si institucioni përgjegjës për procesin e privatizimit të 61 për qind të aksioneve, por edhe pronare e kësaj pakete, zyrtarë të ministrisë kanë pranuar parimisht problemin për gjetjen e kompanisë ndërkombëtare, e cila do të vlerësojë asetet e shoqërisë të sigurimeve, për të pasur të saktë një vlerë për shitjen e aksioneve. Burime zyrtare të ministrisë janë shprehur se, "tenderi ka dështuar për mungesë konkurrence, si rrjedhojë e numrit të pakët të kompanive që duhet të merrnin pjesë në proces, duke sjellë shtyrjen e tij për në datën 11 qershor 2008". Vlerësimi i aseteve të INSIG, i domosdoshëm për procesin e privatizimit të pjesës shtetërore, do të përfshijë dhe filialet e kompanisë jashtë territorit të vendit, si në Kosovë dhe Maqedoni. Ministria e Financave ka vendosur si qëllim kryesor privatizimin e shoqërisë të sigurimeve brenda dhjetorit të këtij viti, pas shtyrjes dy-tre vjeçare të këtij procesi. Duke qenë se dështimi për vlerësimin e aseteve të INSIG ka sjellë një mungesë të plotë informacioni se sa kushton realisht kompania, financat kanë shkurtuar afatet e shërbimit që do të ofrojë kompania e huaj audituese, për një çmim prej rreth 120 mijë eurosh.