E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i buxhetit, përplasje në Kuvend mbi afatet e hyrjes në fuqi

Mosrealizimi i investimeve në kohën e duhur ka nxitur deputetët, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat të kërkojnë afrimin e afatit për miratimin e buxhetit të shtetit. Të djathtë dhe të majtë në komision i kanë kërkuar drejtoreshës së buxhetit në ministri, Mimoza Dhëmbi, ndryshimin e afateve të përgatitjes së projektbuxhetit. Nga data 20 nëntor, e përcaktuar në ligjin aktual të buxhetit, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, ka propozuar datën 1 nëntor, si afat për mbërritjen e buxhetit në Parlament. Në të njëjtin linjë u paraqit edhe anëtari i komisionit, deputeti i PD-së, Aleksandër Biberaj, i cili duke përmendur përvojat e dy viteve të fundit, kur qeveria e sillte buxhetin brenda afateve, ka shtuar se "kjo procedurë e shpejtë nuk mjafton për të realizuar në kohë planin e investimeve publike". Pikërisht, realizimi i investimeve, duke marrë shkas nga shifrat e fundit të katërmujorit të parë 2008, ka krijuar të tjera debate në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Deputetët e saj, prej dy javësh kanë në duar projektligjin "Për menaxhimin e sistemit buxhetor", i cili kërkon konsensus të gjerë për miratimin në Parlament.

Debati

"Buxheti vjetor i shtetit miratohet nga Kuvendi brenda datës 31 dhjetor, të paktën në nivel programi të shpenzimeve për çdo njësi të qeverisjes së përgjithshme, por nuk kufizohet në këtë nivel". Kjo është përmbajtja e nenit 31, "Miratimi i buxhetit vjetor të shtetit", në ligjin për buxhetin, e cila solli reagimin e ish-ministrit të Financave në kohën e PS-së, Arben Malaj. Duke iu drejtuar drejtoreshës së buxhetit në Ministrinë e Financave, Malaj tha se, "me këtë nen, qeveria nuk e ka të qartë sesa do të jetë fondi total i shpenzimeve, pra mungojnë standardet, shenja këto që do të sjellin debate në Kuvend gjatë miratimit të buxhetit në fund të vitit". Për pikën e fundit, zj. Dhëmbi tha se Ministria e Financave ka vendosur këtë standard të buxhetit, duke u nisur edhe nga fakti se, parametrat e tij kanë ndryshuar gjithnjë në fundit të vitit kur është diskutuar në Kuvend. "Kjo formë na jep mundësi për të rishikuar rastet kur deputetët kanë pretendime për financimin e projekteve", tha përfaqësuesja e Financave.

Afatet

Anëtarët e Komisionit të Ekonomisë e shikojnë të arsyeshme kalimin e buxhetit në datën 1 nëntor të çdo viti, në mënyrë që të kenë sa më shumë kohë për miratimin e tij, gjithnjë brenda afateve të 31 dhjetorit. Edhe në këtë pikë nuk gjetën konsensusin me Ministrinë e Financave, sipas së cilës afatet e vendosura në ligj janë marrë nga shembujt konkretë të vendeve anëtare të BE-së. Kështu, në ligjin e ri thuhet se, qeveria e miraton projektbuxhetin brenda datës 31 tetor dhe pastaj e kalon për miratim në komisionet përkatëse parlamentare brenda javës së parë të muajit nëntor, për ta mbyllur përfundimisht më 15 dhjetor. Deputetët, nga ana e tyre, propozojnë se qeveria duhet ta miratojë buxhetin në javën e tretë të muajit tetor për ta sjellë më tej atë që në ditën e parë të nëntorit, në mënyrë që buxheti të jetë i gatshëm për njësitë e qeverisjes qendrore dhe vendore. Pas diskutimeve, komisioni u ndal te nenet 33-34, për ta vijuar në ditën e sotme.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›