E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjana: Vaji i lulediellit nga Ukraina, i parrezikshëm

Ministri i Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, ka dalë garant lidhur me mungesën e rrezikut të përdorimit të vajit ushqimor nga shqiptarët. Për këtë, ai ka paraqitur rezultatin e një laboratori italian ku u dërguan mostrat e vajit për ekzaminim.

"Pasi u konsultuam me autoritetet kompetente në Bruksel dhe Romë, u morën 6 lloje vajrash me 12 kampionatura (duke përfshirë edhe vajin e kompanisë ‘Desina Ballkan‘) dhe u dërguan në Laboratorin Sanitar ARPALAZIO, Seksioni i LATINES në Romë Itali, si laborator reference për analizat e vajit. Mostrat e vajit që u përzgjodhën të dërgoheshin për analiza, përbëjnë, sot për sot, mbi 85 për qind të sasirave të vajrave ushqimore që konsumohen në vend. Analizat janë dërguar në Romë më datën 18 maj 2008", saktëson ministri Gjana. Ai shton se "më 29.05.2008 kemi marrë zyrtarisht rezultatet e analizave që garantojnë përfundimisht se me analizat e plota gazkromatografike, kampionaturat e dërguara nga ana jonë dhe të analizuara prej tyre janë brenda të gjitha normave të lejuara të BE-së për standardet e vajit ushqimor për konsum". Duke i dalë në mbrojtje strukturave të verifikimit të kontrollit dhe të cilësisë së ushqimeve të instaluara në pikat doganore dhe më tej, Gjana tha se analizat e vajit në të dy laboratorët shqiptarë dolën brenda normave të standardit. Ai përmendi këtu analizat e kryera më 9 maj në Laboratorin Rajonal të Korçës, si dhe ato të dyta të kryera në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në Tiranë. Me përgjigjen e analizave të vajit ushqimor brenda standardeve të konsumit, Gjana siguroi se në Shqipëri nuk ka hyrë ndonjë sasi vaj luledielli me përzierje vajrash lubrifikante me origjinë nga Ukraina dhe me eksportues kompaninë greke "Manos" (Volos) në Greqi, sikundër u dyshua në muajin maj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›