Kardiologjia "pëson atak", nuk ka vende për pacientët
Pavijoni i Kardiologjisë, e në mënyrë të veçantë urgjenca e këtij shërbimi, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë është në prag të kolapsit. Dhe kjo, jo për ndonjë faj të bluzave të bardha. Shkak është bërë mungesa e kapaciteteve dhe fluksi tepër i madh i pacientëve, në një sezon të mbingarkuar me të sëmurë prej temperaturave të larta. Pjesa më e madhe e tyre, të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit, veç atyre të Tiranës, përplasen në dyert e repartit të Kardiokirurgjisë, në Qendrën Spitalore Universitare. Kjo, për shkak të trajtimit joprofesional në spitalet e rretheve, por edhe prej mungesës së aparaturave diagnostikuese apo cilësisë së shërbimit. Një gjë e tillë duket se ka shkaktuar një "infarkt" të vërtetë për spitalin më të specializuar, ku trajtohen të sëmurët me zemër në QSUT. Sipas drejtuesve të tij, kapaciteti maksimal i shtrimeve në pavijonet e këtij spitali është vetëm 60 shtretër. Por mesatarisht numri i shtrimeve në ditë në kardiologji varion nga 5 deri në 6 pacientë në ditë. Qëndrimi i tyre varion nisur nga gjendja shëndetësore e çdo të sëmuri dhe rrezikshmëria për t‘u trajtuar jashtë ambienteve spitalore. Por tashmë, kapacitetet janë plotësuar dhe për të shtruar pacientë të tjerë duhet që më parë të lëvizin ata që e kanë zënë me vështirësi një shtrat në këtë pavijon. Vetë mjekët shprehen se në mjaft raste duhet të përballen me njerëz të irrituar dhe e kanë të vështirë që t‘u japin zgjidhje. Shumë raste të sëmurësh, kryesisht të moshuar, që i drejtohen këtij pavijoni për trajtim mjekësor ndiqen "në distancë" në pamundësi për t‘u mbajtur nën vëzhgim në ambientet spitalore. Sëmundjet e zemrës qëndrojnë në krye të klasifikimit në listën e sëmundshmërisë që prek popullsinë shqiptare. E ndonëse vendi ynë renditet ndër shtetet me popullsi relativisht të re, sërish shqiptarët kanë një numër të lartë pacientësh me probleme kardiake