NATO: Shqipëria, vend udhëheqës në Ballkan
Aleanca e NATO-s vlerëson Shqipërinë si vend udhëheqës në Ballkan për sa i përket rritjes së sigurisë rajonale. Deklaratën e bëri dje në Tiranë drejtori për Çështjet e Sigurisë në NATO, Majkëll T. Evanof, gjatë një takimi me Presidentin Topi. “Evanof vlerësoi lart kontributin e vendit tonë në funksion të rritjes së sigurisë rajonale, duke e quajtur “Shqipërinë vend udhëheqës në Ballkan në këtë drejtim” dhe në linjën e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe trafiqeve, si dhe bashkëpunimin shumë të vlefshëm e të frytshëm me institucionet dhe strukturat shqiptare në kuadër të Aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë”, thuhet në njoftimin për shtyp. Gjatë takimit Topi bëri panoramë të zhvillimeve të fundit në Shqipëri dhe vuri në dukje ecurinë pozitive të reformave të rëndësishme për zhvillimin e vendit, përfshi këtu dhe reformën në fushën ushtarake.