E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: Do shkojmë në çdo qytet për të zëvendësuar Kuvendin

 

Përfaqësuesi kryesor i kësaj lëvizjeje brenda PS-së, Ben Blushi, shprehet se Edi Rama po i ofron Shqipërisë alternativën e opozitës së papërgjegjshme. “Dallimi thelbësor mes kësaj lëvizje është se ajo ndryshe nga një pjesë e PS-së e sheh kauzën e majtë rreth një programi dhe jo rreth një emri si Edi Rama. Jam kundër fenomeneve politike si Sali Berisha dhe Edi Rama. Dua të them se Edi Rama ka frikë t’i thotë Shqipërisë ‘Unë humba!’. Është qesharake fakti që PS-ja po kërkon aleancë tek Ndoka dhe Ngjela dhe nuk po kërkon aleancë tek socialistët e vërtetë. Në zgjedhjet e vitit 2003 për Bashkinë e Tiranës ishte Spartak Ngjela ai që i thoshte Edi Ramës ‘Hapi kutitë!’, ndërsa tani ata janë bërë aleatë”, u shpreh Blushi. Sipas numrit një të kësaj lëvizjeje, Sali Berisha qeveris ende për faj të së majtës, pasi nuk u nxorën mësime nga viti 2005. Edi Rama kur erdhi në krye të PS-së premtoi bashkim të së majtës, ky mision nuk u krye më 28 qershor dhe për këtë përgjegjësia nuk duhet shmangur. “Sali Berisha e ka në ADN prekjen e votës. Por unë jam i mendimit se në 28 qershor komisionerët e PS-së e mbrojtën votën. Nuk ka komisionerë socialistë që ka shitur votën dhe, pavarësisht cilësisë së diskutueshme të këtyre zgjedhjeve PS-ja ka humbur”, deklaroi Blushi. Sipas tij, për sa kohë deputetëve të PS-së do t’i mohohet Parlamenti, opozita do të bëhet nga foltoret anembanë qyteteve të Shqipërisë, ku turi antiRama pritet të vijojë në qytetet e tjera të Shqipërisë. “Kjo është arsye që kemi vendosur të flasim kundër bojkotit. Kundër zvogëlimit të PS-së, të një partie që sillet në këtë mënyrë rrezikon të zvogëlohet, të humbë vota, elektorat, të humbë besueshmërinë, të humbim raportin me Shqipërinë. Sepse ne përfaqësojnë gjysmën e Shqipërisë. Nëse ka sot një njeri në Shqipëri të lumtur nga fakti që PS-ja nuk është në Parlament, është Sali Beirsha”, theksoi Blushi. Ai shtoi se, “nëse PS-ja nuk shkon në Parlament, askush nuk mund ta marrë vesh të vërtetën. Prandaj ne kemi vendosur që të shkojmë në çdo qytet të Shqipërisë për të zëvendësuar Parlamentin, për të folur për sa kohë pengohemi për të shkuar në Parlament. Sepse detyra e 28 qershorit është që të shkohet në Parlament dhe ne po na mohohet. T’i thuash një deputeti mos shko në Parlament për të luftuar është njëlloj sikur t’i marrësh ushtarit armën dhe t’i thuash shko në betejë pa armë. Sigurisht që beteja është e humbur për këdo dhe ne do të vazhdojmë që të flasim për të bindur PS-në, sepse nuk mendojmë se  PS-ja shkatërrohet nga fjala”, tha Blushi. Përfaqësuesi i kësaj lëvizjeje theksoi se, “PS-ja shkatërrohet duke humbur dhe ka humbur dy rresht 2005-2009 për të njëjtën arsye pak a shumë dhe nuk mund të tolerojmë më që të humbin tri herë rresht për po të njëjtën arsye. Dhe ne po flasim që të paralajmërojmë humbjen e tretë”. “Ne nuk duam që të përçajmë PS-në, duam ta bashkojmë përreth një statuti, një kauze, një leximi të emancipuar politik që e çon përpara të majtën dhe i jep kuptimin që nuk e ka, të cilën nuk e ka”, tha Blushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›