Obama-Sejdiu: Në të ardhmen bashkëpunim edhe më i fortë
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka zhvilluar një takim të shkurtër me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, gjatë një pritjeje në Nju Jork, mbi aktivitetet gjatë ditëve të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Takimi ishte organizuar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë. Presidenti i Kosovës i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, janë nisur në takimin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, edhe pse nuk janë anëtarë në këtë institucion për të lobuar pro pavarësisë së Kosovës edhe nga vendet që nuk e kanë njohur ende republikën e re. Sejdiu nuk ka humbur rast të falënderojë Presidentin Obama për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë e deri në arritjen e saj, si dhe për lobimin e mëtejshëm. Presidenti Sejdiu e ka falënderuar Presidentin Obama për mbështetjen e deritashme që SHBA i kanë dhënë dhe po i japin Kosovës, si dhe shprehu besimin se marrëdhëniet e veçanta mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve do të forcohen edhe më tutje. Në pritje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit. Sejdiu zhvilloi takime edhe me këshilltarin e Presidentit Obama për Siguri Kombëtare, Xhejms Xhons, si dhe me ndihmës sekretarin e shtetit për Evropën, Filip Gordon. Gjatë kësaj pritjeje Presidenti Fatmir Sejdiu pati biseda të frytshme dhe me burrështetas të tjerë të pranishëm, ndër të cilët edhe me Kryeministrin e Spanjës, Presidentin e Qipros, Kryeministrin e Nepalit, Kryeministrin e Grënadës, zëvendëskryeministrin e Xhamajkës, ministrin e Jashtëm të Portugalisë, Kryeministrin e Malit të Zi, Presidentin e Maqedonisë dhe Kryeministrin e Turqisë.