Godo: Të korrigjohet Historia, ‘97 s’ishte rebelim komunist
ADI SHKEMBI
Shkrimtari dhe politikani i njohur Sabri Godo i vlerëson si propagandë disa prej termave të përdorur në tekstin e historisë së klasës së 12-të. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai komenton përcaktimet në tekst për rebelimin komunist, korrupsionin e qeverisjes socialiste, dhe ‘epokën e re’ që solli PD.
Zoti Godo, historia e klasës së 12-të kanë ngjallur debate për mënyrën se si janë trajtuar ngjarjet e vitit 1997 apo edhe disa përcaktime për qeverisjen e PS-së dhe atë të PD-së pas vitit 2005. Si i vlerësoni ju këtë pjesë të historisë?
Unë i pashë faqet e fundit që kanë krijuar debat dhe nuk shoh ndonjë gjë shqetësuese për atë si paraqitet qeveria e PS-së, e cila mori pushtetin pas 1997, sepse unë vetë i kam thënë këto gjëra në atë kohë. Lidhur me tekstin kam vetëm një objeksion, etiketimi që i bëhet me një frazë ngjarjeve të 1997. Kjo më duket e parakohshme, nuk është term shkencor është propagandë. Asnjëherë nuk është një studim i dokumentuar se çfarë ndodhi në vitin ‘97. I ndjeri Safet Zhulali ka thënë se ngjarjet lidhur me këtë vit nuk do të zbulohen kurrë.
Çfarë ndodhi në atë periudhë?
Unë i kam jetuar vetë ato ngjarje dhe mund të dëshmojë pa asnjë rezervë këtë që po them tani. Të ashtuquajturat komitete qytetare që ngritën kryet në jug në një datë vendosën të bëjnë mbledhje në Vlorë dhe ftuan edhe partitë politike. Për mua situata paraqitej e tillë: Gjysma e vendit kishte dalë jashtë kontrollit, ndërsa në gjysmën tjetër ishte përhapur avash-avash rrëmuja. Në një situatë të tillë qeveria duhet të bënte dy gjëra, ose ta mposhte kryengritjen me forcë ushtarake, gjë që e tentoi dhe dështoi ose të hynte në bisedime me këta të ashtuquajtur rebelë. Me këtë mendim shkova në Vlorë atë ditë dhe pashë një gjë që nuk ma priste mendja. Këta të ashtuquajtur kryetarë të armatosur me gjerdanë fishekësh si rilindësit kishin zbritur në Vlorë me suitat e tyre dhe u bë gjoja një takim në një shkollë në një lagje të Vlorës në krahun e djathtë kur shkon në skelë. Shkova aty dhe pashë një eksitim dhe një histeri të njerëzve që nuk mund të besohej. Të gjithë thërrisnin dhe bërtisnin. Ajo, çdo gjë mund të ishte, vetëm një mbledhje e këtyre komiteteve nuk mund të quhej. Unë dëshmoj që aty ishin edhe socialistët edhe socialdemokratët. Pas gjithë kësaj loje, urrejtjes dhe inatit popullor për rënien e piramidave u qëndronin mbrapa të deleguarit e këtyre dy forcave, kurse ata që dilnin në skenë si lojtarë të parë s’kishin asnjë prejardhje, ishin figura të mjera dhe qesharake. Socialistët dhe socialdemokratët kishin përgatitur një deklaratë. Unë tentova të ndryshohej ajo në dy pika, por besoj se ia arrita vetëm në njërën, duke ngulur këmbë që këto komitete të qytetarëve nuk mund të bënin pjesë në administratën shtetërore. Kjo u hoq nga ajo deklaratë, që duhej nënshkruar atje se nuk bëhej ndryshe. Mund të thuhet se socialistët dhe aleatët e përkrahën me gjithë sa mundën këtë lëvizje popullore dhe e manipuluan dhe e drejtuan atje ku donin ata në rrëzimin e Berishës. Ta etiketosh këtë duke u bazuar në këtë fakt që e kam jetuar dhe parë në sytë e mi si një kryengritje komuniste e them edhe njëherë se shkencore nuk është kurrsesi. Kjo ndoshta duhet hequr ose referuar ndryshe.
Ju keni shprehur qëndrimin tuaj se qeveritë socialistë në periudhën ‘97-‘05 kanë qenë të korruptuara, por a mund të futen në tekstin e historisë fjali të tilla si: “...Vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie...”, apo “...Berisha... me një program për zhvillimin e shpejtë ekonomik çeli një epokë të re zhvillimi për vendin”?
Këtu ka propagandë dhe tekstet e historisë për shkollat duhet të seleksionohen nga gjëra të tilla, sepse gjithsesi djemve dhe nipave tanë duhet t’u themi të vërtetën siç ka qenë, pa përdorur terma propagandistikë. Por përsa i takon asaj që ishte një regjim që i dha rrugë të lirë korrupsionit dhe u bë i paduruar, e kam thënë edhe në atë kohë. U krijua një gjendje e tillë, që zor të dilje në rrugë dhe ta quaje veten shqiptar. Në këto përmasa kishte arritur korrupsioni në qeverisjen e vendit.
Në profilin shoqëror të historisë janë futur materiale edhe për ngjarjet e dy viteve të fundit si tragjedia e Gërdecit, aferat e përfolura të Damir Fazlliç apo rruga “Durrës-Kukës”. A mund të jenë këto ngjarje kaq të afërta pjesë e historisë?
Jo, këto ende nuk mund të quhej histori. Çështja e Gërdecit nuk është mbyllur, është ende i hapur. Nuk e di si i shkoi filli punës së Fazlliçit, por këtu gjithmonë do të ketë edhe në të ardhmen skandale të kësaj natyre. Këto janë për konsum ditor, janë çështje të aktualitetit dhe nuk përbëjnë ngjarje të atilla që të hyjnë në historinë e vendit. Por gjithsesi duhet të hyjnë në histori në një kohë të dytë, kur çështjet të jenë sqaruar dhe të jenë pjekur.
Duke pasur parasysh këtë tekst mendoni se politika gjithmonë e më shumë po tenton të ndërhyjë në histori?
Kjo është një këngë e vjetër. Kushdo që ka qenë në pushtet ka dashur ta shkruajë historinë gjithmonë sipas interesave të tij. Por në këto që pashë unë këtu, me përjashtim të objeksioneve që bëra, nuk mund të them se duket një tendencë e tillë e qartë për ta shkruar historinë sipas qejfit. Nuk duhet hedhur poshtë puna e atyre që janë lodhur për ta bërë tekstin, por u duhet sugjeruar ndonjë korrektim aty këtu. Korrektime mund të bëhen meqë s’ka gjëra të përsosura.
Sipas mendimit tuaj ky tekst nuk duhet hequr nga teksti?
Duhet bërë korrigjim, sidomos për frazën e rebelimit komunist të 1997. Këto tani janë tekste që ribotohen dhe në një ribotim mund të shikohet ku ka vend të bëhet një korrigjim dhe të mbyllet me kaq kjo sepse më duket që pala tjetër që e ka marrë këtë si kalë lufte, po u fryn kacekëve me të tepërt dhe nuk ua kemi ngenë këtyre gjërave në kohën e sotme.
Teksti i Historisë, PS: Ministria e Arsimit po luan rolin e Gjykatës
Partia Socialiste denoncoi dje reagimin e Ministrisë së Arsimit ndaj shtrembërimit të historisë në testin e historisë së gjimnazeve. Deputetja e Tiranës, Leidi Shamku tha dje se
Ministria e Arsimit po zëvendëson dhe gjykatën. “Në këtë vend nuk ka më institucione që bëjnë punën tyre, pasi Ministria e Arsimit ka marrë funksionet e Gjykatës, duke e shpallur ajo vetë verdiktin për shpërthimin e Gërdecit, për të cilin ende nuk ka folur drejtësia. Nuk po ka institucione, por thjesht shërbëtorë të zellshëm të neo-diktatorit, i cili njëlloj si paraardhësi i tij, Hoxha, zgjedh ta instalojë diktaturën përmes manipulimit të historisë kombëtare dhe ta përhapë këtë manipulim përmes edukimit shkollor”, u shpreh Shamku. Sipas saj, ky nuk është më një problem teknik i standardeve të teksteve, por një ogur i zi politik e ideologjik i rrezikut që kërcënon sërish, pas 19 vjetësh, demokracinë e brishtë të këtij vendi. “Partia Socialiste, pikërisht në emër të demokracisë, kërkon edhe një herë reflektim institucional dhe tërheqjen e menjëhershme të teksteve në fjalë nga tregu e shkollat tona, si dhe ndjesën publike të autorëve”, tha Shamku. Deputetja e PS-së u shpreh se pritëm reagimin e Ministrisë së Arsimit, si institucioni përgjegjës që duhet t’u garantojë djemve e vajzave tona cilësinë e një edukimi kombëtar e modern, në liri të plotë gjykimi, por ministria e “epokës së re” të Sali Berishës reagoi duke e mbrojtur tekstin në fjalë me një gjuhë po aq të rreme sa edhe argumentet e tekstit.