E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Policët masakrojnë të ndaluarit”

 

Armand Bajrami

Policia e Vlorës shkel ligjin duke mbajtur të ndaluarit në dhomat e izolimit pa vendime gjykate si dhe duke ushtruar dhunë fizike ndaj tyre. Skandali është zbuluar nga një kontroll i inspektorëve të Avokatit të Popullit, i cili ka cilësuar alarmante situatën që ekziston në trajtimin e shtetasve nga policia e qytetit të Vlorës. Inspektimi është bërë pak ditë më parë, ndërsa specialistët kanë konstatuar dhunën e rëndë fizike ndaj një të paraburgosuri. Për këtë shkak, Avokati i Popullit me anë të një shkrese zyrtare i ka rekomanduar drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Vehbi Bushati, pezullimin nga detyra të vartësve të tij, punonjës policie deri në përfundim të hetimeve për dhunën që ata kanë ushtruar ndaj personave të ndaluar. Në rekomandimin që i është dërguar ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi, thuhet se “në ambientet e ndalimit të Komisariatit të Policisë Vlorë u konstatua dhunë e ushtruar nga komandanti (me mbiemër Arshiu) dhe punonjësit e policisë së grupit të gatshëm me kodin X 1 në dëm të shtetasit G. S., i cili ndodhej i shoqëruar për një konflikt me një shtetas tjetër”. Në vazhdim saktësohej se “i shoqëruari paraqiste dëmtime të dukshme në zonën prapa veshit të majtë, në fytyrë dhe në trup”. Pasi kanë konstatuar rastin, përfaqësuesit e Avokatit të Popullit kanë kërkuan menjëherë praninë e prokurorit dhe mjekut ligjor për të marrë kallëzimin penal dhe për të kryer ekspertimin mjeko-ligjor. “Pavarësisht veprimeve të kryera në vend nga ana e Prokurorisë, Avokati i Popullit kërkon nga ana e drejtuesve të Policisë së Shtetit që kjo çështje të hetohet dhe të pezullohen menjëherë nga detyra efektivat që dyshohen për abuzim me detyrën dhe veprime arbitrare”, thuhej në rekomandim. Por, përfaqësuesit e institucionit të Avokatit të Popullit kanë nxjerrë edhe të tjera “të palara” gjatë inspektimit në Vlorë. Sipas tyre, ambientet e shoqërimit dhe ndalimit të Komisariatit të Policisë Vlorë nuk plotësojnë standardet minimale për qëndrimin e shtetasve. “U konstatua mbajtja në mënyrë të paligjshme në ambientet e paraburgimit të personave të cilët ishin dënuar me një vendim gjykate të formës së prerë. Për ta Avokati i Popullit kërkoi marrjen e masave për transferimin të menjëhershëm në vendet e vuajtjes së dënimit të caktuar nga ligji”, thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, për rastin e mbajtjes së një të mituri në ambientet e paraburgimit, i cili është trajtuar njëlloj si personat e tjerë të ndaluar, Avokati i Popullit theksoi se “nga ana e policisë nuk janë respektuar të drejtat e personave të mitur dhe janë shkelur në mënyrë flagrante një sërë garancish që ekzistojnë për trajtimin e kësaj kategorie”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›