E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi s‘heq imunitetin, Prokuroria pezullon dosjen e deputetit Paturri

 

TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme pezulloi dosjen penale në ngarkim të deputetit republikan Hajrullah Paturri, për shkak se Kuvendi i Shqipërisë nuk aprovoi kërkesën për heqje imuniteti. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, të cilat thanë se në mungesë të autorizimit nga Parlamenti, Prokuroria e kishte të pamundur të zhvillonte hetime ndaj deputetit. Hetimi filloi bazuar në një incident që pretendohet të ketë ndodhur në Fushë-Krujë mes deputetit dhe gjyqtarit sportiv që drejtoi një ndeshje sportive në këtë qytet. Organi i akuzës vendosi të hapë hetimet ndaj deputetit, që u akuzua se në incident kishte qëlluar gjyqtarin sportiv, ndërkohë që kërkesa për autorizim u dërgua në Kuvend më 29 maj 2008. Prej asaj kohe, Parlamenti nuk i ktheu asnjë përgjigje Prokurorisë së Përgjithshme, ndërkohë që afati maksimal që parashikon ligji është tre muaj. Organi qendror i akuzës vendosi të presë një përgjigje nga Kuvendi, por në mungesë të saj dhe në tejkalim të afatit ligjor është detyruar të pezullojë dosjen penale të hapur ndaj Hajrulla Paturrit, deputet i Partisë Republikane. Ai vetë është shprehur publikisht i hapur dhe i gatshëm për t’u përballur me hetimin dhe për të hequr imunitetin. Megjithatë, Kuvendi duket se ka pasur axhendë të ngarkuar, çka ka qenë justifikimi zyrtar për mungesën e përgjigjes ndaj kërkesës së bërë prej Prokurorisë së Përgjithshme. Në mungesë të autorizimit nga Kuvendi, organi i akuzës nuk mund të zhvillojë asnjë veprim hetimor ndaj deputetëve, me përjashtim të rasteve kur ata kapen në flagrancë në kryerje e sipër të një krimi. Sipas burimeve të Prokurorisë, është konfirmuar se kërkesa për heqje imuniteti në rastin e deputetit republikan Hajrulla Paturri ka mbërritur në Kuvend, madje është bërë prezent në Këshillin e Imuniteteve në datën 29 maj 2009. Organi qendror i akuzës tha se nuk ka arritur të mësojë shkaqet e moskthimit të përgjigjes nga Kuvendi. Zgjidhja e nevojshme në këtë rast, sipas Prokurorisë, ka qenë pezullimi i dosjes, me qëllim që në rast të dhënies së autorizimit nga Kuvendi hetimet të rihapen sërish ndaj deputetit republikan. Vendimi për pezullimin e dosjes është marrë nga Prokuroria e Përgjithshme pak ditë më parë, ndërsa fashikulli hetimor është arkivuar.           tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›