E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes Gazidede, misteret që la pas

 

ADI SHKEMBI

Ndahet nga jeta në moshën 56-vjeçare ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar, Bashkim Gazidede.    Një prej njerëzve më të mistershëm për periudhën e parë të qeverisjes së Partisë Demokratike në vitet ‘92-‘97, Gazidede ndërroi jetë dje në moshën 56-vjeçare. Ai vuante nga një sëmundje e pashërueshme, çka detyroi qeverinë që të akordonte tri herë fonde për shërbimin e tij në Itali. Kështu, ai lë të pazbardhura shumë prej momenteve të diskutueshme të atyre pesë viteve.
Kreu i SHIK-ut
Pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe koleg me ish-presidentin Rexhep Meidani, Gazidede u bë i njohur në verën e vitit 1992, kur kreu i shtetit të asaj kohe, Sali Berisha, e emëron në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar, institucioni që pasoi Sigurimin e Shtetit. Fillimisht Gazidede mori mandatin e deputetit në vitin 1992 në zonën e Peshkopisë. Pas vitit 1992, shefi i SHIK-ut konsiderohej si një nga njerëzit më besnikë të presidentit të asaj kohe. Por në të njëjtën kohë ai ishte edhe një nga zyrtarët e lartë të shtetit, që u akuzuan më shumë nga opozita e majtë. Përfaqësuesit e opozitës e akuzonin shefin e Shërbimit Informativ Kombëtar për përndjekje të saj, përgjime të telefonave dhe si iniciator i dhunës së ushtruar ndaj saj në mitingun e 28 majit në sheshin “Skënderbej”. Besnikëria ndaj ish-presidentit Berisha u rikonfirmua edhe në mars të vitit 1997, kur kreu i shtetit e vendosi atë në krye të operacioneve ushtarake për të shtypur protestat pas shembjes së sistemit piramidal në vend.
Largimi nga Shqipëria
Por pas rrëzimit nga pushteti të Berishës dhe humbjes së zgjedhjeve nga Partia Demokratike, Bashkim Gazidede largohet nga Shqipëria. Gjatë tetë viteve pas 1997-ës u fol shumë për vendndodhjen e tij, të cilën Gazidede e sqaroi vetë pas rikthimit në Shqipëri. Në atë kohë aludohej se ai strehohej në vende si Siria, Arabia Saudite apo edhe Afganistani. Madje, aludimet shkonin deri aty sa thuhej se Gazidede mbrohej jashtë Shqipërisë nga shërbimet e huaja. Prokuroria gjatë asaj periudhe nisi procedurat për ngritjen e akuzës së krimeve kundër njerëzimit ndaj ish-shefit të SHIK-ut në periudhën 1992-1997, por kjo dosje nuk u dërgua asnjëherë në gjykatë.
Rikthimi në 2005
Një muaj pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 2005, Bashkim Gazidede rikthehet në Shqipëri. Ai u emërua nga Kryeministri Berisha si nëndrejtor i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Gjatë gjithë kësaj periudhe ai regjistron vetëm një dalje publike në media, ku ka folur për periudhën kur ka drejtuar SHIK-un, por pa zbardhur shumë nga misteret dhe momentet e diskutueshme të asaj kohe. Gazidede konfirmoi se në emigrimin e tij tetëvjeçar ka qëndruar vetëm në Turqi. Dy vjet më parë ai u përfshi në një debat publik me pasardhësin e tij në krye të SHIK-ut, Fatos Klosi, lidhur me zhdukjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, teksa ka akuzuar për prishje të tyre edhe Gramoz Ruçin e Irakli Koçollarin.
Misteret
Me vdekjen e Gazidedes duket se të pakta do të jenë mundësitë për të zbardhur disa nga këto mistere. Ai ishte në listën e Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u pyetur lidhur me rrëmbimin e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, në vitin 1994. Gjithashtu duket se nuk do të zbulohet kurrë se kush e dha urdhrin për të rrahur përfaqësuesit e opozitës në mitingun e vitit 1996 në Tiranë. Mundësitë për zbardhjen e të fshehtave të viteve 1992-1997, duket se janë akoma më të vogla nëse Gazidede nuk i ka hedhur në letër kujtimet e tij për këtë periudhë. Të paktën në intervistën e vetme televizive, ai ka thënë se ka shkruar 7 libra, por asnjë për institucionin që ka drejtuar.

Qeveria

Që nga nëntori 2006 qeveria ka akorduar tri herë fonde të ndryshme për kurimin e Bashkim Gazidedes. Ai vuante nga sëmundja e kancerit.

 Në 27 nëntor 2006 qeveria miratoi propozimin e ministrit të Shëndetësisë për t’i akorduar një fond prej 3.5 milionë lekësh të reja Bashkim Gazidedes për kurimin e tij në Itali. Por për shkak të kohës së shkurtër që ishte në dispozicion, kjo shumë nuk u përdor.

 Në 2 gusht 2007, në të njëjtën formë, qeveria miratoi një vendim për t’i akorduar 5 milionë lekë të reja Bashkim Gazidedes, i cili sipas ministrit të asaj kohe, Nard Ndoka, nuk u përdor i gjithi.

 Vendimi i fundit është pikërisht në 17 janar të këtij viti, kur Gazidedes iu akorduar fondi prej 540 mijë lekësh të reja për kurim në Itali.

Sot homazhe në Kuvend për Gazideden

Ministria e Drejtësisë dhe Kuvendi do të organizojnë sot paradite ceremoninë mortore për nder të ish-shefit të Shërbimit Informativ Kombëtar, Bashkim Gazidede. Homazhet në nderim të figurës së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Bashkim Gazidede, do të zhvillohen në hollin e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë në orën 12:00. Pas homazheve fillon ceremonia mortore drejt varrezave të Shish Tufinës. Ceremonia mortore organizohet nga Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë mbrëmë është hartuar edhe një ‘in memoriam’ për Gazideden, që është firmosur nga Kryeministri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, zyrtarë të tjerë të lartë të Partisë Demokratike, si Bode, Patozi, Nishani, Gjana, Beja, apo edhe akademikë si Omer Stringa, Petraq Petro, Dhori Kule, Aleko Minga etj. “Ai dha një kontribut të vyer në përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri. Në zgjedhjet e 22 marsit populli demokrat i Peshkopisë do ta sillte atë si përfaqësues të denjë të Parlamentit pluralist. Pak muaj më vonë atij do t’i ngarkohej detyra e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe drejtimin e këtij shërbimi. Në një kohë të shkurtër, Bashkim Gazidede, me mençurinë e tij, përkushtimin e madh, ndershmërinë dhe guximin që e karakterizonin, mblodhi rreth vetes specialistë të shquar nga fusha të ndryshme dhe organizoi Shërbimin Informativ Kombëtar”, thuhet në këtë ‘in memoriam’.

Intervista e vetme

Për herë të parë dhe të fundit, Bashkim Gazidede ka folur në një intervistë në Tv Klan në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, të enjten e 26 tetorit 2006. Në atë intervistë, rreth 120 minuta të gjatë, Gazidede ka rrëfyer për herë të parë jetën e tij nga puna si pedagog i matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, te zgjidhja deputet në vitin 1991, marrja e postit të Shefit të Shërbimit Informativ Kombëtar në vitin 1992 dhe te disa prej ngjarjeve të rëndësishme që shoqëruan mandatin e parë të PD-së. Gjithashtu Gazidede foli në atë intervistë edhe për marrëdhëniet me ish-presidentin e kohës Sali Berisha, ish-kryeministrin Aleksandër Meksi si dhe rikthimin e tij në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›