E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta arrin në 65 dollarë për fuçi

 

Çmimit i arit të zi në bursat ndërkombëtare ka rënë sërish. Sipas mediave të huaja, një fuçi naftë në bursat ndërkombëtare shitet me 65 dollarë. Krahasuar me korrikun e këtij viti, çmimi i arit të zi është ulur pothuajse me 50 për qind. Përballë një situate të tillë për të parandaluar rënien e mëtejshme të çmimit të naftës, anëtarë të OPEC-ut, organizatës së prodhuesve të naftës, do të zhvillojnë një takim të jashtëzakonshëm në Vjenë në kuadër të reagimeve ndaj rënies së çmimeve të naftës së papërpunuar. Kërkesa për naftë është ulur pas përkeqësimit të situatës financiare në botë. Ka spekulime se OPEC-u do të ulë prodhimin në mënyrë që të rrisë çmimet e naftës, të cilat kanë rënë nga afër 150 dollarë për fuqi në korrik në pothuajse gjysmën këtij çmimi. Presidenti i OPEC-ut, Chakib Khelil, mësohet se ka pranuar se kishte shqetësime se një ulje e madhe në prodhim mund të përkeqësojë krizën aktuale financiare. E ndërsa në tregjet e huaja çmimi i arit të zi ka pësuar ulje të konsiderueshme, në tregun vendas çmimi i karburanteve ka pësuar ulje të lehtë. E kundërta ndodh kur çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare pëson rritje, në këto raste ndryshimi i çmimit të arit të zi reflektohet menjëherë në tregun vendas.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›