E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda: S‘ndryshojnë gjyqtarët e Lul Berishës

 

TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda rrëzoi dje kërkesën e Lulzim Berishës për ndryshim të trupës gjykuese të procesit ndaj të akuzuarve si anëtarë të “Bandës së Durrësit”. I cilësuari si kreu i kësaj bande, ka kërkuar në seancën e kaluar në ngarkim të anëtarëve të kësaj bande përjashtimin e pesëshes gjykuese të kryesuar nga Gurali Brahimllari. Kërkesa e Berishës ka ardhur pas pretendimeve të tij se gjyqtarët kishin marrë vendime të njëanshme. Ditën e djeshme një trupë gjyqësore nën drejtimin e gjyqtarit Sandër Simoni ka vendosur rrëzimin e kësaj kërkese, duke e cilësuar atë si të pabazuar në ligj dhe në prova. Pasi është shqyrtuar procesverbali i mbajtur gjatë procesit gjyqësor në ngarkim të “bandës së Durrësit”, nuk është vërejtur ndonjë vendim i njëanshëm nga pesëshja gjykuese. Vendimet e marra prej tyre kanë qenë të gjitha kolegjiale. Lulzim Berisha e bëri kërkesën për përjashtim të trupit gjykues në seancën e kaluar, pak para se të braktiste sallën. Seanca shënoi momente tensioni dhe debati mes mbrojtësve ligjorë të të pandehurve dhe trupit gjykues. Shkak për debatet u bë mospranimi nga gjykata i kërkesës së mbrojtjes për thirrjen si dëshmitarë në proces të tre politikanëve, si edhe i të gjitha provave të paraqitura prej tyre. Në momentin që gjykata do të vijonte seancën me marrjen në pyetje të të pandehurit Adriatik Coli, “i penduar dhe bashkëpunëtor i drejtësisë”, Berisha është ngritur dhe pasi ka replikuar me gjyqtarët ka kërkuar edhe përjashtimin e tyre. Ndërsa pas vendimit të djeshëm kjo çështje do të vijojë të gjykohet nga e njëjta trupë.                                     ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›