Abuzimet seksuale dhe ryshfeti çojnë në pranga dy pedagogë
VLORË - Dy pedagogë në dy nga universitetet e vendit janë arrestuar për vepra penale të kryerjes së marrëdhënies seksuale, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv. Në deklaratën për shtyp që dha të enjten zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Klodian Branko, informoi se rreth orës 22.00 të ditës së mërkurës u finalizua operacioni i koduar “Provimi i sigurt”, i organizuar nga Drejtoritë e Policive të Korçës dhe Vlorës, ku u arrestuan shtetasit, Robert Rado, 46 vjeç, nga Korça, pedagog në Universitetin “Fan Noli”, me akuzën për kryerjen e marrëdhënieve seksuale nëpërmjet shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit pasiv, kundrejt kalimit të lëndës që ai jepte dhe Enertin Dheskali, 32 vjeç, banues në Tiranë, pedagog i jashtëm në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, pasi ka përfituar shuma të ndryshme lekësh nga studentët kundrejt kalimit në provimet e lëndës që ai jepte. Mbi Dheskalin rëndojnë akuzat për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe ”Korrupsionit pasiv” nga personat që ushtrojnë funksione publike. Bëhet e ditur se Rado u arrestua në bazë të denoncimit të bërë nga një studente e tij 19-vjeçare, me të cilën edhe u kap në dhomën e një hoteli në qytetin e Korçës. Gjatë vitit të kaluar janë shënuar disa raste abuzimesh nga stafet pedagogjike. Pak javë më parë u dënua një pedagog me akuzën korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës.
27 Qershor 2008