Avokatët e Bandës së Durrësit: “Të vijnë si dëshmitarë pushtetarët”
Incident mes forcave speciale dhe avokatëve mbrojtës të Bandës së Durrësit në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Refuzimi për kontroll nga ana e avokatëve është bërë shkak që seanca të nis me disa minuta vonesë. Mbrojtja kërkoi të thirren në cilësinë e dëshmitarit politikanët që deklaruan shpartallimin e një bande kriminale në kohën kur Lulëzim Berisha u arrestua në Maqedoni.
Po kështu, avokatët kanë vijuar pretendimet e tyre duke thënë se dëshmia e të penduarit Adriatik Coli është vetëm një trillim dhe nuk duhet të merret parasysh nga kolegji penal që po gjykon këtë dosje. Të pandehurit e "Bandës së Durrësit", akuzohen për veprimtari kriminale kryesisht në qytetin bregdetar, nga vrasje deri tek përfshirja në trafikun e lëndëve narkotike. "Banda e Durrësit, e cila e ka zanafillën në vitet 99, fillimisht ka vepruar si një e vetme, nën drejtimin e të pandehurit Lulëzim Berisha, ndërsa me kalimin e viteve u shpërbë. Të akuzuarit si anëtarë të saj u grupuan në dy kampe rivale të cilët filluan konfliktet me njëra -tjetrën duke lënë pas shumë episode kriminale, të cilat aktualisht janë objekt shqyrtimi gjyqësor i Gjykatës së Krimeve të Rënda.
27 Qershor 2008