MASH-i vendos rihapjen e fakultetit Bujqësor në Lushnjë
Ministria e Arsimit ka vendosur që në vitin akademik 2008-2009 ti rikthejë Lushnjës fakultetin Bujqësor. Për këtë arsye, një grup pedagogësh e drejtues të Universitetit Bujqësor të Kamzës(UBK), kanë vizituar qytetin e Lushnjës për të inspektuar nga afër godinën ku do të vendoset fakulteti Bujqësor. Fakulteti pritet të hapë dyert e tij për studentët për vitin akademik 2008-2009. Rektori i Universitetit Bujqësor, Fatos Arizaj, u shpreh se “Hapja e fakultetit Bujqësor në qytetin e Lushnjës është një arritje e veçantë, pasi Instituti Bujqësor i Lushnjës do të jetë një mundësi e re për gjithë jugun e vendit, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, jo vetëm nëpërmjet specialistëve të lartë, por dhe nëpërmjet aktiviteteve praktike e shkencore që do të realizojë”. Përfundimisht janë vendosur dhe degët që do zhvillohen në filialin e UBK. Fillimisht është menduar çelja e degëve Mjekësi veterinare, Frutikulturë, Agrobiznes dhe Financë–Kontabilitet.
27 Qershor 2008