E Diel, 1 Nëntor 2026

Anglishtja, lënda më me shumë shanse për maturantët për të qenë fitues



Nëse në një nga provimet me zgjedhje do të jepni Anglishten, shanset për tu shpallur fitues për në fakultet do të jenë më të mëdha se sa në lëndët e tjera. Anglishtja, është lënda me koeficientin më të lartë në të gjitha fakultetet publike të vendit. Kjo për arsye se të gjitha degët e fakulteteve publike, përveç lëndëve të profilit të tyre, kanë koeficientuar me 1.3 edhe lëndën e Anglishtes. Kështu, nëse maturantët që do ti nënshtrohen provimit të Anglishtes si lëndë me zgjedhje, dalin me rezultate të mira në këtë lëndë, kanë mundësi që rezultati i tyre të koeficientohet me 1.3, çka do ti sillte një numër më të lartë pikësh. Koeficienti 1.3 për Anglishten si lëndë me zgjedhje ka bërë që të rritet numri i maturantëve që në formularin A1 kanë zgjedhur anglishten si një nga dy lëndët me zgjedhje. Ministria e Arsimit, bën të ditur se numri i maturantëve që do të japin provim me zgjedhje gjuhën e huaj Anglisht, këtë vit është rritur me 120 për qind. Sipas kësaj Ministrie, në datën 10 korrik, ditë kur do të zhvillohen provimet me zgjedhje, 8.700 maturantë që kanë plotësuar formularin A1, ose 30 për qind e numrit total të tyre, do të testohen për zotërimin e Anglishtes. Ndërkohë që një vit më parë, këtë provim e dhanë 7.238 maturantë ose 22 për qind e tyre. Kjo është një nga nismat e MASH-it për këtë lëndë, që favorizon ata kandidatë që janë shumë të mirë në anglisht, një mekanizëm që të rinjtë të mësojnë anglishten, apo ta kenë të paktën gjuhë të huaj të dytë, për të qenë sa më kompetitivë në tregun global të punës. Por kjo nuk do të thotë se kandidatët e tjerë që nuk e zotërojnë mirë këtë gjuhë të huaj, apo janë njohës të një gjuhe tjetër të huaj, do të jenë të diskriminuar. Ashtu si edhe vitet e kaluara, ata duhet të zgjedhin për provimet me zgjedhje lëndët, ku janë më të aftë dhe që janë zgjedhur më tepër nga fakultetet që duan të ndjekin, për shkollë të lartë.

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›