E Diel, 1 Nëntor 2026

Epidemia e Poliçanit mbetet pa fajtor, akuza mes institucioneve



POLIÇAN – Shpërthimi i epidemisë në qytetin e Poliçanit, ku u infektuan 78 qytetarë, ka shkaktuar përplasje mes institucioneve shtetërore në lidhje me shkaqet që çuan në këtë situatë. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve ka hedhur poshtë pretendimet e Institutit të Shëndetit Publik që shkaktuar është uji i ndotur në rrjetin e brendshëm të linjës që furnizon me ujë të pijshëm banorët e Poliçanit. Sipas tyre, ndotja e ujit ka ndodhur pikërisht në zonën e Kombinatit Ushtarak, e cila është pjesë e administruar nga Ministria e Mbrojtjes. Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizime deklaroi se për të bërë një vlerësim të saktë të situatës janë të domosdoshme analizat zyrtare të ujit të kryera nga autoritetet e Shëndetit Publik, mbi bazën e të cilave, të bëhen edhe ndërhyrjet e nevojshme”. Sipas njoftimit zyrtar, Ministria e Transportit dhe Punëve Publike dha një fond prej 15 milionë lekësh që do të përdoren për riparimin e rrjetit ujësjellës.
Konflikti
Vetëm 24 orë pas publikimit nga Ministra e Shëndetësisë të shkaqeve që çuan në epideminë e rëndë në qytetin e Poliçanit, kanë reaguar autoritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve. Përmes një konference për shtyp drejtuesit e saj kanë deklaruar se, “bazuar në inspektimin e kryer ne sistemin e ujësjellësit, depove të ujit si dhe stacionin e pompimit, nuk rezultojnë probleme të rrjedhjeve apo çarje të tubacioneve në rrjetin e brendshëm të sistemit”. Sipas tyre, “probleme janë evidentuar në tubacionin kryesor që kalon në territorin e Kombinatit, ku ky tubacion ishte i amortizuar dhe në disa vende ka patur prezencë të ujërave të zeza apo të ndenjura të Kombinatit”. Kjo zonë administrohet nga Ministria e Mbrojtjes, për të cilën autoritetet shëndetësore dhe drejtuesit vendor kanë kërkuar që të merren masa nga Ministria e Mbrojtjes.
Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Transporteve thuhet se kjo është vërtetuar edhe nga analizat paraprake të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, ku uji ka patur prezencë të baktereve “E-coli” dhe “Streptokok fecal” para hyrjes në depo dhe klorinimit të tij dhe jo në rrjetin e brendshëm”. Sipas tyre, rezulton se uji është brenda parametrave të përcaktuara. Pra nuk mund të thuhet se shkaku i epidemisë është si rezultat i ndotjes së ujit. Përfaqësuesit e Ujësjellës Kanalizimeve kërkojë nga Instituti i Shëndetit Publik që të zyrtarizojë rezultatet e analizave të ujit, të kryera më 19.06.2008 dhe më datë 23.06.2008. “Drejtoria e Përgjithshme do të ndërhyjë në rehabilitimin e linjës kryesore që kalon në territorin e Kombinatit Ushtarak, i cili është i amortizuar dhe cilësia e ujit bazuar në analizat e kryera rezulton me probleme, duke dhënë rreth 15 milionë lekë për riparimin e defekteve.
Rezultatet
Ministria e Shëndetësisë përcaktoi dy ditë më parë shkaqet e sëmundjes së 78 pacientëve të shtruar në spitalin e Poliçanit dhe Beratit. Në bazë të analizave të kryera rezulton se pacientët janë prekur nga një gastro- enterit i rëndë, i cili është shkaktuar nga uji i pijshëm. Drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, u shpre se nga hetimi epidemiologjik dhe analizat e kryera rezulton se pacientët nga Poliçani nuk janë prekur nga një dizanteri klasike, por nga gastro-enterit i rëndë. Bejtja, theksoi se nga hetimi epidemiologjik rezulton se mundësitë më të mëdha janë për një shpërthim të shigelozës me natyrë hidrike, ku vektor ka qenë ujësjellësi i Poliçanit. Në këto kushte, banorët janë të detyruar të mos konsumojnë ujin e pijshëm deri në një afat të ri.

27 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›