Paratë e pista, qytetarët veprojnë me para në dorë
Shqipëria nuk konsiderohet si vend për pastrimin e parave, megjithëse ajo mbetet një vend i rrezikuar për këtë aktivitet të paligjshëm. Kriminelët zakonisht investojnë paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme në prona të paluajtshme dhe projekte biznesi. Si një ekonomi e bazuar në aktivitetet me para në dorë, ekonomia shqiptare është e kërcënuar ndaj aktiviteteve të pastrimit të parave. Vetëm pak njerëz kanë llogari bankare dhe shkruajtja e çeqeve nuk është një gjë e zakonshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, 25 për qind e qarkullimit të parave bëhet jashtë sistemit bankar, krahasuar me një mesatare 10 për qind në ekonomitë tranzitore të vendeve të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore. Kryerja e veprimeve bankare nëpërmjet bankomatëve po rritet pas vendimit të qeverisë për kalimin e pagave përmes transfertave elektronike. Të gjitha institucionet qeveritare kanë aplikuar mënyrën elektronike të pagave dhe një sërë kompanish private kanë filluar t`i shpërndajnë pagat në mënyrë elektronike. Gjithashtu, në vend është rritur edhe përdorimi i kartave të kreditit. Shqipëria e ka klasifikuar pastrimin e parave si vepër kriminale në Nenin 287 të Kodit Penal. Vendimi i ri i miratuar e harmonizon përkufizimin e pastrimit të parave me atë të konventave ndërkombëtare të BE-së. Vendimi i ri gjithashtu nxjerr jashtë ligjit llogaritë anonime dhe lejon konfiskimin e llogarive bankare. Ky ligj gjithashtu kërkon identifikimin e përfituesve. Aktualisht, asnjë ligj nuk e penalizon neglizhencën e institucioneve financiare në rastet e pastrimit të parave. Banka e Shqipërisë ka krijuar një task-forcë për të kontrolluar respektimin e rregullave të verifikimit të klientëve nga bankat e nivelit të dytë.
20 Mars 2008