Çmimi i energjisë, shqiptarët e paguajnë më shtrenjtë se në Itali
Italia, 1 kw/orë 4 lekë më lirë se Shqipëria. Pagën minimale për një punëtor e ka 1200 euro
Ervin Koçi
Çmimi i energjisë elektrike për shqiptarët është nga më të lartit në rajon, duke e bërë këtë mall një nga më të shtrenjtit. Të dhënat e marra nga buletinet zyrtare të korporatave elektroenergjetike të shteteve të rajonit, si dhe të disa shteteve të tjera të BE-së, tregojnë qartë se konsumatorët shqiptarë e paguajnë disa herë më shtrenjtë kilovatorin se sa fqinjët dhe shtetasit europianë. Kështu, ky çmim është edhe më i shtrenjtë në krahasim me shtete të zhvilluara si Italia, e cila është vend që nuk ka resurse energjetike. Nëse në Shqipëri në ditët aktuale energjia për familjarët është 14.4 lekë për kw/h, në Itali kompania energjetike ENEL ka hedhur ofertë energjinë me çmimin 0.088 cent për kë/h. Kjo shumë e konvertuar në lekë i bie të jetë rreth 10.73 lekë për kw/h, plot katër lekë më lirë se në Shqipëri. Ndërkohë, një ofertë tjetër që ENEL ka hedhur në treg është dhe furnizimi me dy orare, ku, nga ora 19.00 deri në orën 08.00, familjarët të paguajnë energjinë me çmimin 0.072 euro për kw/h, e konvertuar 8.78 lekë. Ndërkohë për oraret 08.00 deri në ora 19.00 çmimi që faturohet është 0.121 euro për kw/h dhe e konvertuar është e barabartë me 14.7 lekë. Pra, në të dy rastet, energjia në Itali është shumë më e lirë se në Shqipëri.
Të ardhurat
Çmimi i shërbimeve dhe i mallit që ofron deri tani për konsumatorin shqiptar KESH-i është edhe më i shtrenjtë në raport me vendet e tjera të rajonit, po të kihen parasysh edhe të ardhurat që kanë shqiptarët. Në Itali, vendin me të cilin kemi bërë krahasimet, paga minimale për një punëtor të thjeshtë është 1200 euro në një kohë që një pagë minimale në vendin tonë është 16 mijë lekë (sipas ligjit të fundit). Gjithashtu, po të vërejmë pagën minimale të pensionistëve në Itali, një pensionist merr 500 euro pensionin minimal, ndërkohë që pensioni minimal në Shqipëri është i barabartë me 40 euro, ndërkohë që niveli mesatar nuk i kalon 70 eurot. Disproporcioni skandaloz midis pagës në Itali me pagën në Shqipëri dhe diferenca e çmimit të shitjes së kilovatit nga Italia në Shqipëri tregon qartë se niveli i jetesës së shqiptarëve rëndohet edhe më tepër nga çmimet e energjisë që dikton KESH-i. Nëse Italia ka këtë nivel çmimi për energjinë elektrike, në të njëjtën kohë kur niveli i rrogave, pensioneve, është 15 fish më i lartë dhe për këtë arsye dhe çmimi i energjisë duhet të ketë çmimin më të lartë, por në të vërtetë është e kundërta.
Kostoja e energjisë
Çmimi i energjisë në Shqipëri është shumë më i lartë se në Itali, por pa llogaritur këtu që ne jemi vend që prodhojmë energji me kosto jashtë mase të ulët, falë hidrocentraleve të trashëguar nga shteti monist. Ky disproporcion çmimesh me një nga shtetet më të zhvilluara të botës, ku shteti shqiptar e shet më shtrenjtë se në Itali çmimin e energjisë, tregon se vendi defektin më të madh e ka në abuzimet që bëhen me këtë mall si nga individët dhe subjektet, ashtu edhe nga shteti. Po kështu disa vende të tjera si psh., Bullgaria e ka 7.94 lekë/ kw/h, Mali i Zi 5.69 lekë, Maqedonia 5,23 lekë, Rusia 3.82 lekë, Ukraina 2,93 lekë, Kroacia 11,22 lekë, Rumania 11,25 lekë, Kosova 6,76 lekë, Bosnja 9 lekë. Pra, e gjithë zona rreth Shqipërisë është në nivel shumë më të ulët çmimi për energjinë. Kështu me ngritjen më të fundit të çmimit të energjisë, qeveria i garanton privatizuesit të kësaj kompanie fitime marramendëse.
Çmimi i energjisë elektrike në gjashtë vitet e fundit
2002 2003 2004 2005 2006 2007
Çmimi mesatar familjar 4.66 4.98 5.42 5.71 6.47 7.00
Çmimi mesatar jofamiljar (total) 6.65 8.29 8.87 9.23 8.57 7.27
Çmimi mesatar total 5.69 6.11 6.70 7.11 7.28 7.11
Këtu paraqitet çmimi mesatar i shitjes me pakicë të energjisë elektrike sipas tre grupeve të klientëve - ERE
Çmimi mesatar me disa vende (konsumatorë familjarë, lekë/kwh)
Shqipëria 8,02
Bullgaria 7,94
Mali i Zi 5,69
Maqedoni 5,23
Rusia 3,82
Ukraina 2,93
Kroacia 11,22
Rumania 11,25
Kosova 6,76
Bosnja 9.0
20 Mars 2008