Verifikimi i pronësisë së tokës, kthehet mbrapsht ligji i qeverisë
Ministria e Bujqësisë do të riformulojë nenin për ligjërimin e tokës së marrë padrejtësisht. Debate në Komisionin e Veprimtarisë, deputetët kundër ligjit
Erald Kapri
Ministria e Bujqësisë do të riformulojë nenin numër 9 të projektligjit “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” pasi deputetët e Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese nuk e kanë miratuar. Projektligji i qeverisë ka si objekt verifikimin e të gjithë titujve të pronësisë që janë dhënë për tokën bujqësore sipas Ligjit 7501 gjatë gjithë viteve të tranzicionit. Pikërisht neni numër 9 i këtij projektligji të Ministrisë së Bujqësisë përcakton se kush ka përfituar tokë në mënyrë të paligjshme, por që nuk ka palë të tretë që të ketë pretendime për atë tokë të përfituar në mënyrë të pandershme, mund ta ligjërojë atë. Ky nen hasi në kundërshtimin e plotë të deputetëve të Partisë Demokratike javën e mëparshme në Komisionin e Ligjeve, por që në fakt u mbështet nga deputetët e opozitës me pretendimin se mosligjërimi do të krijonte konflikte. Ndërkohë, debati është zhvendosur ditën e djeshme në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, ku përsëri neni numër nëntë nuk është pranuar. Kësaj radhe ka qenë vetë kryetari i këtij komisioni, Ylli Bufi, i cili nuk ka mbështetur projektligjin e qeverisë. “Kësaj i bie që më të ndershëm janë ata të Bathores, të cilët kanë ardhur nga zonat malore, por që kanë treguar hapur tokën që kanë marrë padrejtësisht, ndërsa këta të tjerët janë mënyrë të vullnetshme e kanë përfituar tokën padrejtësisht dhe u ligjërohet”, - u shpreh Bufi. Specialisti i Ministrisë së Bujqësisë iu përgjigj kryetarit Bufit duke i thënë se kërkohet të mbyllen konfliktet. “Në disa komuna, për shembull rreth Tiranës, toka e marrë në mënyrë të paligjshme është shitur disa herë dhe mbi atë tokë është ndërtuar një hotel i madh. Atëherë mbi ç’bazë unë do t’ia marr tokën atij? Ndërkohë edhe në fshatrat të tjera mbi toka të marra padrejtësisht janë zhvilluar aktivitete. si p.sh. ndërtimi i një sere, ka marrë edhe një kredi. Si mund t’ia marrim tokën këtij fermeri?” - tha specialisti i Ministrisë së Bujqësisë. Deputetët e tjerë kërkuan riformulimin e nenit numër 9 duke kërkuar përshtatje me nenin 2 të këtij projektligji që deputetët e miratuan në mënyrë unanime, por që e cilësuan si në kundërshtim me nenin 9.
Propozimi
Ministria e Bujqësisë, mbas debateve të ashpra në Komisionin e Ligjeve, riformuloi një propozim të ri në lidhje me projektligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, ku kërkoi që asnjë titull pronësie nuk do të jepet të tokat turistike dhe bregdetare, të cilat janë marrë nga poseduesit. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese nuk e mbështeti as edhe këtë propozim. Kryetari i komisionit, Ylli Bufi, u shpreh se projektligji nuk mbyll objektin për të cilin është krijuar, pra të verifikimit të plotë të titujve të pronësisë. Deputeti i PS-së, Flamur Hoxha, ngriti shqetësimin edhe të mungesës së afatit kohor që duhet t’u lihet komisioneve vendore, të cilat do të verifikojnë titujt e pronësisë. Nisur nga kundërshtimi, kryetari Bufi kërkoi që Ministria e Bujqësisë të risjellë në komision nenin numër 9 të riformuluar në bazë të frymës së projektligjit, në mënyrë që ai të mbyllë objektin e krijimit të tij.
Neni 9
Neni numër 9 i projektligjit në fjalë ka qenë objekt i diskutimeve të shumta në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Veprimtarive Prodhuese në Parlament, duke bërë që Ministria e Bujqësisë të riformulojë projektligjin. Aktualisht projektligji shprehej se, “gjatë verifikimit të dokumentacionit vëren se titulli i pronësisë mbi tokën është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4, të kreut I të këtij ligji, dhe mbajtësi i titullit të pronësisë e posedon dhe shfrytëzon tokën faktikisht, nëse nuk preken interesat e ligjshme të personave të tretë, i ofron mbajtjen në pronësi të tokës bujqësore dhe ligjërimin e titullit të pronësisë, kundrejt detyrimit për ta paguar atë, në masën e plotë të vlerës, të llogaritur me çmimet, sipas hartës së vlerës së tokës, pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës”. Ky nen do të ndryshojë duke përcaktuar se do të përjashtohen nga e drejta për të kërkuar pronësi të gjithë personat që kanë marrë toka në mënyrë të paligjshme në zonat bregdetare.
Ministria e Bujqësisë kërkoi mosligjërimin e tokës në zonat turistike
Ministria e Bujqësisë në riformulimin e dytë kërkoi që nga procesi i verifikimit të titujve të pronësisë, zonat turistike ku ka pasur marrje toke në mënyrë të padrejtë me Ligjin 7501, por edhe me ligjet e tjera, nuk do të ligjërohen. Ndërkohë, sipas qeverisë, objekti i projektligjit do të prekë titujt e pronësisë të krijuar me sipërfaqet që në datën 1.8.1991 që kanë figuruar në regjistrat kadastrale, në zërin “Tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit 7501, që ka hyrë në fuqi në datë 19.7.1991. Njëkohësisht do të verifikohen sipërfaqet e tokave bujqësore që janë administruar nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore që kanë kaluar për ndarje për fshatrat nga vendimet e Ministrisë së Bujqësisë deri në datën 30.4.1998. Objekti i projektligjit do të prekë edhe sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, sipas ligjit të vitit 1995. Projektligji përcakton se titujt e pronësisë që janë dhënë që më 1.8.1991, por që nuk kanë figuruar në Hipotekë si tokë bujqësore, do t’u hiqet titulli i pronësisë pasi ajo llogaritet si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore etj.
Neni 2
Objekti i dhënies së tokës në pronësi
1. Kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë privatë mbi tokën:
a) Sipërfaqet, që më 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastrale, në zërin “Tokë bujqësore”, dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar.
b) Sipërfaqe të tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 8337, datë 30.4.1998, “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”.
c) Sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.
2. Nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi dhe i krijimit të titujve të pronësisë të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991, nuk kanë figuruar në regjistrat kadastrale në zërin “Tokë bujqësore” si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore, pas kësaj date.
3. Familjet fshatare ose individët, që faktikisht, e përdorin tokën bujqësore dhe e shfrytëzojnë atë, në kufijtë e pretenduar prej tyre, si pronë e parakolektivizimit dhe që nuk kanë pranuar të pajisen me aktin e marrjes se tokës në pronësi, mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë, sipas procedurave të përcaktuara në Ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004, «Për kthimin dhe kompensimin e pronës», të ndryshuar.
Nuk mund të bëhet kërkesë për t’u pajisur me dokumentacion pronësie, kur sipërfaqja e tokës së pretenduar u është dhënë më parë në pronësi personave të tjerë, në bazë të dispozitave të Ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar, dhe të Ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995, “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.
20 Mars 2008