E Diel, 1 Nëntor 2026

Pastrimi i parave, deklarim për çdo depozitë mbi 15 mijë USD në bankë

Vendimi i qeverisë detyron çdo subjekt të deklarojë burimin. Subjektet duhet të raportojnë të ardhurat brenda 72 orëve
Erald Kapri

Qeveria miratoi ditën e djeshme një projektligj që disiplinon të gjithë aktivitetin financiar në vend përsa i përket mënyrës së raportimit. Sipas vendimit, çdo depozitë apo transaksion mbi 15 mijë dollarë duhet të shoqërohet me një raport, i cili duhet të vërtetojë se burimi i të ardhurave është i fituar në mënyrë të ndershme. Subjektet e transfertave duhet të raportojnë brenda 72 orëve. Individët apo personat juridikë që raportojnë për transfertat janë të mbrojtur nga ligji nëse bashkëpunojnë dhe japin informacion financiar për Shërbimin e Inteligjencës Financiare dhe agjencitë e zbatimit të ligjit. Aktualisht, individët apo institucionet përkatëse financiare raportojnë pranë Njësisë së Shërbimeve Inteligjente Financiare të gjitha transaksionet që kalojnë mbi 200 mijë dollarë, si dhe transaksionet që përfshijnë aktivitete të dyshimta, pavarësisht nga shuma. Sipas vendimit të gjitha transaksionet, në para fizike, në një vlerë të barabartë ose më të madhe se 1. 5 milionë lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera, të huaja, duhet të raportohen. Ndërkohë, të gjitha transaksionet jo në para fizike, në një shumë të barabartë në vlerë me ose më të madhe se 6 milionë lekë ose kundërvlerën në monedha të tjera, të huaja, të kryera si një transanksion i vetëm ose si transanksione të lidhura me njëra-tjetrën, duhet të raportohen.
Transaksionet
Për shërbimet bankare korrespondente ndërkufitare, të ofruara nga bankat, subjekte të këtij ligji përpara se të vendosin një marrëdhënie biznesi, duhet të grumbullojnë informacion të mjaftueshëm rreth institucionit pritës, për të kuptuar plotësisht natyrën e biznesit. Subjektet nuk duhet të kryejnë shërbime bankare korrespondente me banka, llogaritë e të cilave përdoren nga bankat guaskë. Subjektet duhet të ndërpresin marrëdhëniet e biznesit dhe t’i raportojnë autoritetit përgjegjës kur vlerësojnë se llogaritë e bankës korrespondente përdoren nga bankat guaskë. Subjektet duhet të ekzaminojnë me vigjilencë të zgjeruar të gjitha transaksionet komplekse dhe të gjitha llojet e pazakonta të transaksioneve, që nuk kanë qëllim ekonomik ose ligjor të qartë. Subjektet duhet t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve me klientët jorezidentë. Subjektet duhet të verifikojnë dhe t’u kushtojnë kujdes të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve me klientë, të cilët banojnë ose e ushtrojnë veprimtarinë në vende që nuk zbatojnë ose që zbatojnë pjesërisht standardet përkatëse ndërkombëtare për të parandaluar e luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit. Parashikohet që subjektet duhet t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve me klientë, siç janë trustet dhe shoqëritë anonime. Parashikohet që subjektet duhet t’u kushtojnë vigjilencë të zgjeruar marrëdhënieve të biznesit dhe transaksioneve, të kryera nga klientët, në emër të palëve të treta, përfshirë aktin e përfaqësimit, nëpërmjet të cilit transaksionet janë të autorizuara nga palët e treta.
Detyrimet
Subjektet, veprimtaritë e të cilave përfshijnë transferta parash ose vlerash, duhet të marrin dhe të identifikojnë emrin, mbiemrin, vendbanimin e vendqëndrimin, numrin e dokumentit të identifikimit dhe numrin e llogarisë, nëse ka, të dërguesit, përfshirë emrin e institucionit financiar, nga ku niset transferta. Informacioni duhet të përfshihet në formularin e mesazhit ose të pagesës, që shoqëron transfertën. Në rast se nuk ka një numër llogarie, transferta shoqërohet nga një numër unik reference.
Raportimi
Subjektet, që dyshojnë se prona është produkt i veprës penale ose ka për qëllim të përdoret për financimin e terrorizmit, menjëherë, brenda periudhës së përcaktuar në aktet nënligjore, në zbatim të këtij ligji, t’i paraqesin një raport autoritetit përgjegjës, ku të parashtrojnë dyshimet që kanë. Kur subjekti, të cilit i kërkohet nga klienti të kryejë një transanksion, ka dyshime se transanksioni mund të përfshijë pastrim parash ose financim terrorizmi, ai duhet t’ia raportojë menjëherë çështjen autoritetit përgjegjës dhe të kërkojë udhëzime nëse duhet ta kryejë apo jo transaksionin. Autoriteti përgjegjës është і detyruar të kthejë përgjigje brenda 48 orëve. Subjekteve u kërkohet t’i raportojnë autoritetit përgjegjës sipas afateve të përcaktuara në aktet nënligjore.
Përjashtimi nga raportimi
Raportimi tek autoriteti përgjegjës nuk kërkohet për transaksionet ndërmjet bankave, me përjashtim të transaksioneve ndërbankare, në emër të klientëve të tyre, ndërmjet subjekteve të këtij ligji dhe Bankës së Shqipërisë si dhe institucioneve dhe enteve publike, që kryhen për llogari të tyre. Subjektet ose autoritetet mbikëqyrëse, drejtuesit, zyrtarët ose punonjësit e tyre, të cilët në mirëbesim raportojnë apo japin informacion, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, pranë autoritetit përgjegjës, janë të përjashtuar nga përgjegjësia penale, civile ose administrative për nxjerrjen e sekretit profesional a bankar. Punonjësve të subjektit u ndalohet të informojnë klientin ose çdo person tjetër për procedurat e verifikimit të rasteve të dyshimta dhe për çdo raportim tek autoriteti përgjegjës, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj ose me miratimin paraprak të autoritetit përgjegjës.
Subjektet që i nënshtrohen këtij ligji
1. Bankat tregtare
2. Institucionet financiare jobankare
3. Zyrat e këmbimeve valutore
4. Shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre
5. Shërbimet postare, që kryejnë shërbime pagesash
6. Çdo person tjetër, fizik ose juridik, që emeton apo menaxhon mjetet e pagesës a të parasë, ose kryen transferimin e vlerës (karta debiti dhe krediti, çeqe, çeqe udhëtari, urdhëra pagese dhe urdhërpagesa bankare, para elektronike ose instrumente të tjera të ngjashme)
7. Bursat dhe çdo subjekt tjetër (agjent, broker, shtëpi brokerimi etj.), që ushtron veprimtari për emetimin, këshillimin, ndërmjetësimin, financimin dhe çdo shërbim tjetër, që ka lidhje me tregtimin e titujve
8. Shoqëritë, që merren me sigurimin e jetës ose risigurimin, agjentët a ndërmjetësit e tyre, si dhe fondet e pensionit
9. Autoriteti Shtetëror Përgjegjës për Administrimin dhe Shitjen e Pronës Publike dhe çdo person tjetër juridik, publik, që kryen veprime juridike për tjetërsimin dhe dhënien në përdorim të pronës shtetërore, ose që kryen evidentimin, transferimin, a tjetërsimin e pronës shtetërore
10. Lojërat e fatit, kazinotë dhe hipodromet, të çfarëdo forme
11. Avokatët, noterët dhe përfaqësues të tjerë ligjorë, kur përgatisin ose kryejnë transaksione për klientët e tyre për veprimtaritë e mëposhtme:
a) kalimin e pronësisë së pasurive të paluajtshme, administrimin e parave, të letrave me vlerë ose të aseteve të tjera
b) administrimin e llogarive bankare
c) administrimin e pjesëve të kapitalit, që do të përdoren për
themelimin, funksionimin ose administrimin e shoqërive
tregtare
d) krijimin, funksionimin ose administrimin e personave juridikë
e) marrëveshjeve ligjore, shitblerjen e aksioneve ose të pjesëve të kapitalit të shoqërive aksionere dhe transferimin e veprimtarive tregtare
12. Agjentët e pasurive të paluajtshme dhe ekspertët e vlerësimit të pasurive të paluajtshme
13. Ekspertët kontabël të autorizuar, të pavarur, kontabilistët e miratuar, të pavarur dhe zyrat e konsulencës financiare
14. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Ndërtimore Informale
15. Çdo person, fizik ose juridik, përveç atyre të specifikuar më sipër, të cilët merren me:
a) administrimin e aseteve të të tretëve, drejtimin e veprimtarive të lidhura me to
b) qiratë financiare
c) ndërtimet
d) biznesi i metaleve dhe gurëve të çmuar
f) huatë financiare
g) marrëveshjet dhe garancitë financiare
gj) shitblerja e veprave të artit apo shitblerja, me ankand, e sendeve me vlerë 1 500 000 lekë ose më shumë;
l) sigurimin dhe administrimin e parasë fizike ose të letrave me vlerë, lehtësisht të konvertueshme, në emër të personave të tretë
k) këmbimin e parasë fizike
m) tregtimin e mjeteve motorike
n) veprimtaritë e spedicionit dhe të transportit
nj) agjencitë e udhëtimit.

20 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›