E Diel, 1 Nëntor 2026

“Luftë” në Shkodër; Plumba nga makinat, plagoset rëndë një kalimtar

Dy makina në ecje kanë shkëmbyer zjarr mes tyre në paraditen e djeshme në Shkodër, ku ka mbetur i plagosur një person i rastit. Në luftë janë përfshirë edhe punonjësit e sigurisë së një banke, që po transportonin para. Duke menduar se sulmi ishte drejtuar ndaj tyre, ata kanë filluar që të qëllojnë ndaj dy makinave të tjera. Nga shkëmbimi i plumbave është plagosur 52-vjeçari Hysen Tula, i cili kishte parkuar furgonin e tij pranë dyqanit dhe po shkarkonte mallin. Ai ka marrë plagë të rënda dhe po i nënshtrohet ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalin e Shkodrës. Ndërsa dy mjetet që mendohet se janë të përfshira në atentat janë larguar dhe akoma nuk dihet se kujt i përkasin. Makina që transportonte paratë e bankës ka kryer procedurat përkatëse të dorëzimit të parave dhe më pas është vënë në dispozicion të policisë, për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka mbledhur dëshmitë e para në lidhje me këtë ngjarje. Është ngritur një grup pune, i cili po heton për autorët e saj. Sipas burimeve të policisë, persona të paidentifikuar kanë gjuajtur me armë nga një “Fuoristradë” duke goditur dy mjete, por ende nuk dihet cila prej tyre ka qenë në shënjestër. Ngjarja ndodhi në orët e mesditës së djeshme, kur një automjet tip “Fuoristradë”, ngjyrë e gjelbër, duke dalë nga Shkodra, sapo ka marrë kthesën prapa pikës së karburantit, ka hyrë në korsinë e rrugës, duke qëlluar mbi një automjet tip “Benz” që lëvizte në korsinë tjetër të rrugës. Pas “Benz”-it ecte drejt qytetit të Shkodrës edhe makina e një banke, që transporte para për në filialin e kësaj banke në Shkodër. Duke parë plumbat që vinin në drejtim të mjetit të tyre, policët e sigurisë kanë shkëmbyer zjarr mbi personat në “Fuoristradë”. Duke u gjendur në një situatë të tillë, personat të cilët sulmuan nga “Fuoristrada” u larguan nga vendi i ngjarjes. Gjithashtu, edhe personat të cilët gjendeshin në makinën tjetër të përfshirë në këtë “luftë”, nuk u arritën që të identifikoheshin, pasi u larguan. Ndërkohë, punonjësit e sigurisë që u përshinë në këtë ngjarje, shoqëruan makinën për të dorëzuar paratë dhe më pas, u morën në pyetje nga hetuesit, për të dhënë dëshmitë e tyre. Ndërkohë 52-vjeçari i plagosur i është nënshtruar mjekimit nga ana e mjekëve, pasi ai ka marrë dy plumba në trup dhe sipas burimeve të spitalit, gjendja e tij ende nuk është normalizuar. Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin dhe arrestimin e personave përgjegjës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›