E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi, OSSH do kompensojë faturat e energjisë

12/03/2010 Furtunë në ndërmarrje, largohen 100 punonjës. Gabimi rreth 1 milion USD

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes pranon abuzimet në faturimet e energjisë elektrike te konsumatorët. Si pasojë të gjitha faturat e energjisë elektrike të fundvitit po rillogariten nga ekspertët çekë, që kanë mbërritur pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe dëmi do tu zbritet konsumatorëve në faturën e marsit ose të prillit.

Verifikimi

Pas verifikimeve të bëra, si pasojë e ankesave të shumta të qytetarëve dhe institucioneve shtetërore, OSSH ka pranuar gabimet në përllogaritje, por ka mohuar që të ketë pasur udhëzime për mënyrën e faturimit. Nga llogaritjet paraprake të faturimeve të energjisë gjatë kësaj periudhe, OSSH bën me dije se rezultojnë mbi 1 milion dollarë të keqfaturuara. Ka qenë vetë drejtori i CEZ, Jozef Haisek, i cili konfirmoi zbulimin e shumë rasteve të abuzimeve që kapin vlerën e 105 milionë lekëve. “Sapo kemi përfunduar kontrollin e parë të plotë të sistemit të faturimit dhe pas këtij kontrolli do të vazhdojmë me një kontroll tjetër më të hollësishëm sepse duam të gjejmë se si mund të përmirësojmë sistemin. Për momentin kemi zbuluar disa probleme që kapin shifrën e 105 milionë lekësh”, u shpreh Haisek. Sipas tij, problemet e shumta lidhen me funksionimin e matësve dhe sistemin e faturimit, ndërsa shtoi se tashmë ka përfunduar faza e parë e kontrollit, duke premtuar se kontrollet do të vazhdojnë. Të gjitha këto probleme të konstatuara pas kontrollit kanë detyruar OSSH-në të bëjë një furtunë shkarkimesh.

Masat

Lidhur me këto masa drejtori i OSSH-së, deklaroi se "janë pushuar 100 faturistë si dhe Drejtori i Shitjeve. Nga kontrolli i 3 muajve të fundit të 2009,-ës kemi zbuluar 5300 raste vjedhjesh me një dëm prej 235 milionë lekësh. Vjedhësve do tu ndërpresim energjinë dhe do i çojmë në gjykatë". Duke pranuar keqfaturimin e energjisë, OSSH-ja ka bërë fajtore stafin e vet dhe sistemin e dobët me të cilin operohet. Megjithatë, OSSH-ja ju kujton qytetarëve që ankohen se përveç abuzimit, shkaqe të tjera që kanë çuar në fatura të shtrenjta, janë edhe rritja e konsumimit me rreth 30 për qind për shkak të sezonit të dimrit si dhe shtrenjtimi i energjisë prej 1 janarit me rreth 13 për qind. Pavarësisht situatës së krijuar Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nuk do të tolerojë për subjektet apo individët që nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike. Haisek deklaroi se “energjia duhet paguar dhe ne do të jemi konsekuentë në këtë çështje dhe nuk do të tolerojmë asnjë subjekt privat, buxhetor apo jobuxhetor të injorojë pagesën e saj. Pretendimi për faturat nuk do të thotë që faturat nuk duhen paguar”, përfundoi ai. Lidhur me këtë fakt OSSH ka nisur tashmë një aksion në të gjithë vendin ku përveç ndërprerjes së energjisë për debitorët, ata që kanë rilidhur sërish energjinë janë paditur në Prokurori.

Keqfaturimi

Gabimi më i fundit për llogaritjen e çmimit të energjisë elektrike nuk është i pari që bëhet nga faturistët e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Shpesh herë për qytetarët vijnë fatura të tejfryra të energjisë elektrike, që nuk janë të justifikuara me konsumin, pasi faturistët nuk verifikojnë saktë matësit e energjisë. Duke pasur parasysh se fatura e energjisë është titull ekzekutiv dhe duhet të paguhet, e vetmja zgjidhje është ankesa në mënyrë që të paktën në faturën e muajit të ardhshëm të bëhet rillogaritja e kilovatëve të faturuar më tepër se sa janë konsumuar realisht nga qytetarët.

Verifikimet

Sipas drejtuesve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, në lidhje me faturat e muajit janar, çdo klient gëzon të drejtën të vërtetojë saktësinë e faturës. Bazuar mbi kërkesën e klientit dhe pas një kontrolli në sistemin e brendshëm, i cili do të kryhet nga ekspertë ndërkombëtarë, do të shihet dhe do të kontrollohen fizikisht edhe matësit, por kjo do të bëhet në prezencën e klientit, i cili do të njoftohet më parë.

Borxhet

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka filluar vendosjen në zbatim të projektit për vjeljen e borxheve të vjetra të pashlyera ndaj kompanisë, që shkojnë deri në 27 miliardë lekë. Kjo shumë është sa dyfishi i çmimit me të cilin CEZ Grup bleu OSSH-në vitin e kaluar, ku për 76% të aksioneve pagoi 102 milionë euro. Ky projekt që do të shtrihet në gjithë vendin ka si objektiv mbledhjen minimale deri në 10% të borxhit aktual.

Reforma

OSSH ka vendosur të ulë numrin e drejtorive të shpërndarjes, të cilat nga 10 janë ristrukturuar në katër. Këto të fundit do të jenë të vendosura sipas shtrirjes, që ju është bërë në katër qytete Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe Fier. Ndërkohë që përjashtim nga "reforma" e ristrukturimit nuk kanë qenë as Drejtoritë e Tensionit të Lartë, të cilat nga pesë do të kalojnë në një të vetme me qendër në kryeqytet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›