E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vrasja e deputetit Fatmir Xhindi, dëshmitarët po dështojnë hetimet”

 

TIRANE – Grupi hetimor ka marrë në pyetje rreth 100 persona në lidhje me vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, por asnjë nga dëshmitarët nuk ka dhënë informacione, që mund të ndihmojnë zbulimin e autorëve të ngjarjes së rëndë. Me përjashtim të familjarëve dhe të afërmve, të cilët kanë pohuar në dëshmitë e tyre për prokurorinë se ngjarja ka lidhje me detyrën e Fatmir Xhindit, askush nga dëshmitarët e tjerë nuk ka pohuar fakte konkrete qoftë edhe mbi motivin e mundshëm të krimit. Burimet nga Policia e Shtetit konfirmuan dje se hetuesit e ngjarjes janë përballur me të njëjtin fenomen gjatë pyetjes së 100 personave. Dëshmitarët refuzojnë të japin hollësi apo shkaqe dhe emra konkretë. Për këtë shkak duket se grupi i hetimit ka marrë në pyetje disa herë të njëjtët dëshmitarë, duke besuar se qëndrimi i tyre do të ndryshojë me kalimin e kohës. Megjithatë të gjithë personat e pyetur nga policia dhe prokuroria, nuk kanë shfaqur asnjë ndryshim në qëndrimin e tyre, duke pohuar se Fatmir Xhindi kishte një popullaritet të mirë në zonë dhe se nuk ishin në dijeni të konflikteve apo mosmarrëveshjeve. Atentati ndaj deputetit ndodhi para banesës së tij në ora 21:15, mbrëmjen e 2 majit 2009. Zona ku ndodhi krimi është e populluar ndërsa fare pranë banesës së 49-vjeçarit kalon rruga kryesore. Megjithatë, nga të gjithë banorët e Roskovecit që janë thirrur në polici, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të ketë parë apo dëgjuar diçka nga skena e atentatit. Hetuesit e policisë thonë se janë përballur me një refuzim të dukshëm të banorëve dhe dëshmitarëve për të ndihmuar me fakte hetimin e ngjarjes. Nga ana tjetër, pavarësisht deklaratave të policisë për “bum” telefonatash pas shpalljes së shpërblimit 250 mijë euro për informatorët, personat që kanë dijeni për krimin apo rrethanat e tij, përsëri kanë hezituar. Telefonatat e para dhanë disa informacione të përgjithshme, por ato nuk ndihmuan grupin e hetimit që të përqendrohej në një pistë të vetme apo tek persona konkretë. Edhe ditën e djeshme hetuesit kanë vazhduar me marrjen në pyetje të disa banorëve të Roskovecit, por thëniet e tyre nuk kanë ndihmuar në gjetjen e fakteve të reja për autorësinë dhe shkaqet e krimit.                  tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›