Fazlliç: Ina Rama të kërkojë falje
Armand Bajrami
Biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç, i hetuar në Tiranë për “pastrim parash”, tha dje se kryeprokurorja Ina Rama duhet t’i kërkojë falje publike. Deklarata e biznesmenit 34-vjeçar nga Bosnja, i cili deri pak ditë më parë dyshohej nga drejtësia shqiptare për pastrim parash, është bërë publike dje gjatë qëndrimit të Fazlliç në Tiranë. “Unë nuk kam asgjë personale me zonjën Rama, nuk e njoh atë. Por unë besoj se 7 muaj hetime më japin pak të drejtë që të kërkoj të paktën një falje publike”, tha Fazlliç. Gjithashtu biznesmeni konfirmoi padinë e ngritur prej tij ndaj një gazetari shqiptar në Gjykatën e Lartë të Londrës. Hetimet në ngarkim të Fazlliç u pushuan në 7 maj 2009, pasi i përfundoi afati, ndërsa Prokuroria priste të merrte letërporositë nga drejtësia e Zvicrës, Qipros dhe Anglisë. Në vendimin e pushimit të çështjes ekziston një klauzolë, sipas së cilës, nëse përgjigjet e letërporosive do jenë në disfavor të biznesmenit, ato do të konsiderohen si provë e re dhe ndaj tij do të rihapet hetimi.
DEKLARATA
“Jam këtu si biznesmen dhe mik i këtij vendi për të shprehur vlerësimin tim të vazhdueshëm, duke punuar për të vazhduar me projektet e mia të investimeve. Jam i lumtur të them që pavarësisht problemeve ekonomike të shumë vendeve të tjera të botës, ekonomia e Shqipërisë vazhdon të jetë e fortë dhe ofron shumë mundësi investimi, fakt që është i njohur nga shumë organizata ndërkombëtare me reputacion. Jam veçanërisht i gëzuar sot, sepse hetimet mbi aktivitetin tim në Shqipëri janë rrëzuar nga Prokuroria për arsye të mungesës së provave të çdo lloj akti kriminal apo fajësie nga ana ime apo nga kompanitë e mia. E pata deklaruar që në fillim që të gjitha akuzat kundra meje ishin falsifikime dhe sulme politike të motivuara politikisht. Më në fund kjo është bërë e qartë për të gjithë. Ia di për nder zyrës së Prokurorisë së Tiranës dhe dy prokurorëve të çështjes, që pavarësisht “gjuetisë së shtrigave” politike të vëna në skenë kundër meje, patën kurajën profesionale dhe integritetin për të qartësuar emrin tim dhe të bëjnë drejtësi. Unë sinqerisht shpresoj që çështja ime do t’i bëhet një mësim me kujdes Prokurorisë së Përgjithshme, e cila besoj më ka borxh një ndjesë publike për dëmin e bërë ndaj meje dhe interesave të mia. Unë shpresoj që ajo të mësojë të mos konsumohet nga pushteti dhe të qëndrojë larg lojërave politike, duke respektuar të drejtat ligjore dhe humane të gjithkujt, duke përfshirë edhe investitorët e huaj dhe bizneset. Fushata e shpifjes kundër meje është filluar nga grupe të interesit që donin të ndalonin investimet e mia në Shqipëri dhe si një mjet për hakmarrje politike. Unë nuk do të ndaloj këtu”, tha Fazlliç. Duke folur për akuzat mediatike që janë bërë në adresë të tij, ai tha se “rregulli i ligjit dhe i të drejtave njerëzore duhet të mbrohen nga stili i ‘gazetarisë së gangsterëve’. Më në fund dua të deklaroj se, pavarësisht gjithë padrejtësive drejt meje, ende besoj në të ardhmen e Shqipërisë dhe me të vërtetë e dua këtë vend”, pohoi biznesmeni boshnjak.
Hetimet për Fazlliç u mbyllën nga mungesa e tri letërporosive
TIRANE – Prokuroria e Tiranës shpalli mbylljen e hetimeve ndaj biznesmenit Damir Fazlliç më 7 maj 2009. Bazuar në Kodin e Procedurës Penale, organi i akuzës në kryeqytet i deklaroi të mbyllura hetimet, duke qenë se afati në dispozicion të dosjes kishte kaluar. Procedimi penal në emër të Damir Fazlliç u hap më 8 tetor 2008 pas të dhënave që u bënë publike lidhur me shitjen e një kompanie që ai zotëronte në Tiranë. Siç u dyshua, kompania “Crown Acquisitions” ishte shitur me vlerë 1.7 milionë euro te një subjekt me qendër në Qipro. Rritja fiktive e vlerës së kompanisë, e cila ka pasur kapital fillestar 1 mijë euro dhe nuk ka deklaruar xhiro, por as fitim, u bë objekt dyshimesh. Mbi bazën e raportimeve mediatike Prokuroria hapi dosjen penale dhe vazhdoi hetimet për shtatë muaj. Për të provuar mundësinë e pastrimit të parave, kërkohej që për shumat e përdorura në Shqipëri të vërtetohej se ato kishin prejardhje nga një vepër penale. Për këtë shkak, Prokuroria dërgoi letërporosi në Zvicër, Qipro dhe Angli për të zbardhur aktivitetin e Fazlliçit. Në mungesë të përgjigjeve për letërporositë dhe në tejkalim të afateve ligjore, Prokuroria e mbylli dosjen “Fazlliç” me të drejtë rihapje nëse gjenden prova të reja.