Tenton të vrasë ish-dhëndrin, i ndau motrën
TIRANE - Një 40-vjeçar ka luftuar me vdekjen për disa orë në spital, pas një plumbi që ka marrë në kofshë nga vëllai i ish të fejuarës. Duke dashur të çojë në vend nderin e motrës Albert Ciku ka tentuar të vrasë ish-dhëndrin, duke qëlluar katër herë me pistoletë në drejtim të tij. Oficerët e Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit të Tiranës kanë vënë në pranga 31-vjeçarin Albert Ciku, nga Fushë-Preza, i cili ka plagosur me pistoletë ish-dhëndrin e tij Xhevdet Muça, 40 vjeç. Sipas burimeve nga policia mësohet se mes dy personave prej disa muajsh kishte një konflikt familjar, pasi i plagosuri Muça ka qenë i fejuar me motrën e autorit Ciku. Por pas disa muajsh fejese ai kishte vendosur, që të ndahej nga e fejuara dhe për këtë arsye dyshohet se 31-vjeçari ka dashur të hakmerret për “nderin” e motrës, duke tentuar të vrasë ish të fejuarin e saj. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës në afërsi të Vorës, ku rastësisht janë takuar viktima dhe autori. Pas një debati të ashpër mes tyre, Albert Ciku ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar katër herë në drejtim të Xhevdet Muçës. Fatmirësisht vetëm një nga plumbat ka prekur 40-vjeçarin, i cili është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak. Për disa orë ai ka qenë në gjendje mjaft kritike për jetën, pasi kishte humbur shumë gjak nga plaga e rëndë në kofshë. Por pas ndërhyrjes kirurgjikale gjendja e tij është përmirësuar dhe tashmë ndodhet në reanimacion jashtë rrezikut për jetën. Policia ka arrestuar menjëherë autorin e dyshuar të ngjarjes, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë. Ndërkohë në vendin e ngjarjes është gjetur edhe arma e krimit, si dhe 4 gëzhoja që kishin dalë nga pistoleta që mbante pa leje Albert Ciku.