Tri grabitje brenda 7 orëve
Etleva Delia
Tri grabitje me dhunë dhe me armë ndodhën së fundi në Tiranë në një hark kohor prej vetëm shtatë orësh nga njëra-tjetra. Shuma e vjedhur nën kërcënimin e armëve të zjarrit shkon në 9 milionë lekë. Burime nga policia, thanë se vjedhja e parë ndodhi në ora 22:00 të martën, kur një person ka vjedhur zyrat e firmës “Tirana Urban Tours” në qendër të kryeqytetit, mbrapa Bashkisë së kryeqytetit. Grabitësi ende i paidentifikuar nga policia, duke kërcënuar me thikë punonjësin e kësaj zyre Shyqo Shehajn, ka arritur të marrë 130 mijë lekë të reja. Kjo vjedhje me dhunë është pasuar nga dy ngjarje të tjera të ngjashme, në rrugën e Elbasanit dhe në lagjen “Don Bosko”. Sipas policisë rreth orës 03:50 pas mesnate, një person i armatosur me pistoletë ka hyrë në një lokal lojërash fati, pranë Shkollës së Baletit dhe ka arritur të marrë 250 mijë lekë të reja. Vetëm gjysmë ore më pas policia është njoftuar për një tjetër grabitje në afërsi të pallateve “Almak”, në “Don Bosko”. Persona të paidentifikuar, duke kërcënuar me armë rojën e një magazine, në pronësi të Olsi Salikos, kanë arritur të marrin mallra ushqimorë, me vlerë 500 mijë lekë të reja. Për të gjitha këto ngjarje, të ndodhura në një hark të shkurtër kohor, policia nuk ka mundur të identifikojë autorët, të cilët kanë qenë pa maska kur realizuan vjedhjet me dhunë.
GRABITJET
Rreth orës 22:00 të së martës, Hazbi Përllaku, pronari i firmës “Tirana Urban Tours”, ka lajmëruar në Komisariatin Nr.1, se një person i armatosur me thikë, kishte vjedhur në zyrat e firmës së tij rreth 130 mijë lekë të reja. Përllaku ka treguar se është lajmëruar nga punonjësi i tij, Shyqo Shehaj, 69 vjeç, i cili është detyruar t’i jepte personit të armatosur të gjitha paratë që ndodheshin aty, pasi ai e kishte kërcënuar se do ta vriste me thikë. Shehaj është marrë në pyetje për ngjarjen dhe ka treguar që grabitësi nuk mbante maskë, por nuk kishte arritur ta identifikonte dhe mbante mend shumë pak të dhëna nga pamja e tij e jashtme, që nuk mjaftonin as për të bërë identikitin. Edhe pse ngjarja ka ndodhur në qendër të kryeqytetit, në rrugën “Abdi Toptani” që ndodhet pas bashkisë, grabitësi ende nuk është identifikuar dhe as ndaluar nga policia. Vetëm disa orë më pas, sërish në Komisariatin Nr.1, është njoftuar salla operative për një grabitje që ka ndodhur në rrugën e Elbasanit. Pronari i një lokali lojërash fati, Ded Prenda, ka kallëzuar në polici, se një person i armatosur me pistoletë, është futur në lokal dhe nën kërcënimin e armës ka marrë 250 mijë lekë të reja. As për këtë ngjarje autori nuk është identifikuar, edhe pse po punohet për kapjen e tij. Disa minuta më vonë, është njoftuar edhe Komisariati Nr.3 për një grabitje në rrugën “Don Bosko”. Pronari i një magazine me mallra të ndryshëm ushqimorë, Olsi Saliko, ka denoncuar grabitjen e një sasie mallrash, me vlerë rreth 500 mijë lekë të reja. Roja i magazinës e ka njoftuar menjëherë pronarin Saliko, pasi kishte konstatuar disa persona, që dilnin nga ambientet e magazinës dhe e kishin kërcënuar me armë që të mos lëvizte nga vendi, ose do ta vrisnin.
TRI GRABITJET
1. Në orën 22:00 grabitet zyra e firmës “Tirana Urban Tours”, pas Bashkisë së Tiranës. Një i armatosur me thikë vjedh 130 mijë lekë të reja.
2. Në orën 03:50 grabitet një lokal lojërash fati tek rruga e Elbasanit. Një person i armatosur me pistoletë vjedh 250 mijë lekë të reja.
3. Në orën 04:00 grabitet me thyerje magazina në pronësi të Olsi Salikos. Persona të paidentifikuar vjedhin mallra me vlerë 500 mijë lekë.