Shkëmbim zjarri mes shqiptarëve, vritet Agim Leka
Shkëmbim zjarri mes dy grupeve të shqiptarëve në Arezzo të Italisë, një person ka mbetur i vdekur dhe dy të tjerë të plagosur rëndë. Ky ka qenë bilanci i regjistruar menjëherë pas ngjarjes nga autoritetet policore italiane. Përplasja me armë mes dy grupeve shqiptare në Arezzo të Italisë ka ndodhur në rrugën “Toricelli”, konkretisht në vendin e quajtur Orciolaia. Një 20-vjeçar ka mbetur i vdekur, ndërsa dy të tjetër janë plagosur, njëri prej të cilëve ende në gjendje të rëndë. Policia bën publikë vetëm emrat e dy shqiptarëve, ndërkohë që njëri prej tyre është ende i paidentifikuar. Lajmi bëhet i ditur nga disa agjenci italiane të lajmeve on-line, të cilat u janë referuar hetuesve të qytetit italian. Sipas hetimeve të prokurorisë italiane, personi i mbetur i vrarë është Agim Leka. I riu 20-vjeçar kishte mbërritur në spitalin e Arezzo-s me një makinë e cila ishte larguar më pas menjëherë. Infermierët e spitalit San Donato kishin dalë jashtë, pasi kishin dëgjuar lutjen për ndihmë dhe kishin parë të riun shqiptar të shtrirë në tokë. Sipas medias italiane, Agim Leka kishte vdekur vetëm pak minuta më pas, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë nga plumbat e pistoletës. Dy shqiptarët e tjerë të plagosur kanë mbërritur në spital me ndihmën e një ambulance. Njëri prej të plagosurve është Rodjan Ruci, 27 vjeç, i cili ka marrë plagë në kofshë dhe pasi është operuar është nën kontrollin e mjekëve, ndërsa nuk bëhet i ditur emri i personit të tretë, i cili sipas medias italiane, është edhe ai shqiptar. Ky i fundit ka plagë të shkaktuara ndoshta nga një kaçavidë.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, rreth orës 04:00 në një shesh të Arezzo-s në Itali, konkretisht në rrugën “Toricelli”. Nuk dihet ende cili ka qenë motivi i përplasjes. “Skuadra e policisë e drejtuar nga Marco Dalpiaz, së bashku me një hetues, po mbledhin dëshmi për të ndërtuar dinamikën e ngjarjes, por është shumë e vështirë”, - shkruajnë agjencitë italiane të lajmeve që kanë bërë publik lajmin dhe që u janë referuar hetuesve të policisë. Nga të dhënat e para mësohet se gjatë përplasjes është vjedhur dhe makina e një shqiptari, e cila më pas u gjet poshtë një banese në rrugën ku ndodhi dhe përplasja. Tashmë, agjentët e Policisë Kriminalistike janë duke u përpjekur të hedhin dritë mbi këtë episod kriminal, me qëllim zbardhjen e përgjegjësve të saj. Ndërkohë, policia ka mundur të shoqërojë dy shqiptarë, të cilët janë duke u marrë në pyetje në Kuesturë, mbi dijeninë që kanë për ngjarjen dhe për të sqaruar pozicionin e tyre.
Dyshimi
Larje hesapesh. Ky ka qenë dyshimi i ngritur nga skuadra lëvizëse që po merret me zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur gjatë orëve të natës, duke u gdhirë dita e djeshme në Arezzo, përkatësisht në rrugën “Toricelli”. Hetuesit janë duke grumbulluar të dhëna dhe dëshmi nga një grup i madh, që kanë parë ose kanë dijeni për ngjarjen. Sipas hetuesve, përmes këtyre dëshmive dhe provave të mbledhura në vendngjarje shpresohet të ndërtohet dinamika e ngjarjes dhe motivi që çoi në shkëmbimin e zjarrit mes dy grupeve të shqiptarëve. Megjithatë, paraprakisht, grupi hetimor dyshon për një vrasje për shkak të larjes së hesapeve. Një makinë e gjetur poshtë banesës së shqiptarëve në rrugën “Toricelli” rezulton t’i jetë vjedhur një shqiptari. Bëhet fjalë për një automjet tip “Mercedes - klasi A”. Nga të dhënat e para, konkretisht nga dëshmitë e mbledhura, rezulton se zënka mes grupeve ka nisur që dy net më parë, në një klub nate, që degjeneroi në orët e mëngjesit të djeshëm në përplasje armësh.
Detaje
20 vjeç është shqiptari që mbeti i vrarë dje përgjatë shkëmbimit të zjarrit në Arezzo
27 vjeç është Rodjon Ruçi, shqiptari i dytë i mbetur i plagosur gjatë përplasjes me armë