E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi me detyrën, hetim për 7 agjentë sigurimesh

Antikrimi ekonomik-financiar ka shoqëruar dje shtatë agjentë të disa shoqërive sigurimesh, pasi kryenin aktivitetin e tyre në vende të pa licencuara, si dhe merrnin para më tepër sesa kushtonin dokumentet e përgatitura prej tyre. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur se antikrimi ekonomik-financiar, në bashkëpunim me Policinë Tatimore, në kuadër të operacionit policor të koduar "Ambasada", i cili u organizua në rrugën "Papa Gjon Pali i II", kanë realizuar shoqërimin e shtatë personave. "Lefter Jaupaj, 42 vjeç, Ylmije Kapedani, 61 vjeçe, Mbarime Selmani, 44 vjeçe, Kujtim Malaj, 46 vjeç, Lindita Dema, 55 vjeçe, Fatos Karagjozi, 43 vjeç, dhe Pirro Toçka, 46 vjeç, u shoqëruan dje në ambientet e Policisë së Tiranës, pasi ushtronin aktivitetin e tyre në ambiente, të cilat nuk ishin licencuara", deklaroi zyrtarisht zëdhënësja Alma Katragjini. Sipas policisë, pas një hetimi të kryer, dyshohet se shtatë personat, duke qenë të punësuar si agjentë sigurimesh pranë katër shoqërive të sigurimeve, degë të cilat janë të vendosura në afërsi të ambasadës italiane në Tiranë, ushtronin aktivitetin duke i prerë sigurime për jetën mbi vlerën e përcaktuar, qytetarëve të cilët aplikojnë për marrjen e vizave pranë kësaj ambasade. Policia tha se vlera nuk ishte shumë e lartë, por ata kalonin shumë praktika në ditë. Ndërkohë, Policia Tatimore në Tiranë ndërmori masën me gjobë ndaj këtyre kompanive sigurimesh në vlerën 250 mijë lekë secila, pasi ato ushtronin aktivitetin, në ambiente, të cilat nuk ishin licencuara. Ndërsa specialistët e punësuar në këto shoqëri sigurimesh si agjentë, pasi iu morën deklarimet dhe u këshilluan që të mos ushtrojnë këtë aktivitet, u lanë të lirë.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›