Fazat e riorganizimit të sistemit gjyqësor
Në takimin e djeshëm për njohjen e metodologjisë, nuk kanë munguar as diskutimet e specialistëve të huaj dhe përfaqësuesve diplomatikë. Ata kanë kërkuar nga përfaqësuesit e KLD-së shpjegime sesi do të kryhen këto transferime, a do të bëhen shpallje për transferimet pa pëlqim dhe a ka shkelje në këto transferime. Në lidhje me procesin e ndërmarrë, përfaqësuesit e KLD-së shpjeguan se kjo do të kërkojë kohë e do të kryhet hap pas hapi. Kreshnik Spahiu shpjegoi se KLD-ja ka bërë publike vendet bosh. Aktualisht, gjykatësit po sjellin kandidaturat për kryetar gjykate të Apelit në Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Pas zgjedhjes së tyre do të vijë hapi i dytë, që është transferimi i gjyqtarëve në Gjykatat e Karrierës, të cilat janë ajo e Tiranës dhe Durrësit. "Prioriteti ynë janë Gjykatat e Karrierës për shkak të kapacitetit që kanë ato", tha Spahiu, duke vijuar se në hapin tjetër, KLD do të merret me Gjykatën e Përmetit, ku asnjë nuk ka dëshirë të shkojë, pasi është gjykatë e re. Pas këtyre, hapi i katërt do të jetë më i lehtë se do të fillohet me plotësimin e vendeve bosh që mbeten nga lëvizjet e tre hapave të parë. Ndërsa hapi i fundit do të jetë paraqitja e kandidaturave për çdo vend vakant, ku do të kryhet edhe përzgjedhja.