PS: Berisha ka përkeqësuar funksionimin e drejtësisë
Partia Socialiste iu rikthye sërish progres-raportit të Komisionit Europian, duke u ndalur te shqetësimet dhe problemet e shprehura për sistemin gjyqësor. Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, tha se një nga fushat më problematike dhe që ka shënuar përkeqësim të dukshëm gjatë qeverisjes së Sali Berishës, është drejtësia. "Në progres-raportin e radhës dalin në pah problemet e mëdha që kanë pushtuar sistemin e drejtësisë. Raporti shpreh qartë se autoritetet shqiptare kanë bërë një progres shumë të pakët në fushën e drejtësisë dhe në kuadrin ligjor që rregullon këtë sektor jetik për vendin", tha Gjiknuri. Ai vërejti se në progres-raport vihet theksi edhe në ndërhyrjet politike të qeverisë në kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit, duke konfirmuar atë që opozita shqiptare e ka deklaruar vazhdimisht, që familja Berisha gjatë mandatit të tij të parë, por edhe në vazhdim, ka ushtruar dhe ushtron trysni mbi pushtetin e pavarur të drejtësisë.