Kriteret që do të ndiqen për emërimet
Për emërimet në lëvizjet horizontale të gjyqtarëve do të ndiqen tre kritere. Një prej tyre është rritja e performancës. Politika e KLD-së do të ketë të bëjë me performancën profesionale të gjyqtarëve. "Le të themi se nga Peshkopia do të transferohen tre gjyqtarë. Këta nuk do të transferohen automatikisht në Tiranë. Madje, për Gjykatën e Tiranës dhe Durrësit do të shikohen kandidaturat më të mira dhe zgjedhja do të bëhet si pjesë e ruajtjes së barazisë. Më tej, KLD ka vendosur që gjykata e Durrësit dhe e Tiranës të quhen "Gjykata karriere" dhe në to do emërohen gjykatës me aftësi të larta. Në këto aftësi do të përfshihen disa elementë si përvoja, prejardhja, masat disiplinore, arsimi dhe shumë të tjera", shpjegoi zv/kryetari i KLD-së. Ndërsa kriteri i dytë është transferimi sipas nevojave të gjykatës. Kur gjykata ka nevojë për staf atëherë do kërkohen transferime nga një gjykatë në tjetrën. Së treti, transferimi do kryhet edhe sipas prioritetit të grupeve. Lista e grupeve është shumë e rëndësishme dhe ndahen në tri kategori. KLD do të përcaktojë kriteret dhe kjo do të bëhet traditë për gjyqësorin.