E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Protesta e opozitës është absurde sepse PS-ja arkitektoi gjithë problemet”

Kreu i LSI-së e konsideroi absurde dhe të pakuptimtë protestën e djeshme. Sipas Metës, Partia Socialiste nuk mund ta ndalë integrimin e vendit

“Fakti që ka një protestë do të thotë që në fund të fundit demokracia funksionon”. Ky ishte komenti i liderit të LSI-së, Ilir Meta, i cili nuk harroi të shtonte se sipas mendimit të tij, protesta është absolutisht absurde, sepse nëse ka disa probleme me zgjedhjet e 28 qershorit, në radhë të parë është përgjegjësi kryesore e kryetarit aktual të Partisë Socialiste, i cili ka diktuar Kodin Zgjedhor dhe reformën elektorale, madje edhe procesin e administrimit të zgjedhjeve. “Pra, më duket plotësisht paradoksale. Unë mendoj se vendi i tyre është në Parlament, pavarësisht se është një e drejtë e tyre të protestojnë. Unë përshëndes propozimin shumë konstruktiv të kryeministrit Berisha për t’u dhënë shumicën në komisionin hetimor, pavarësisht se kjo sigurisht nuk do të ishte normale, sepse opozita ka pakicën. Ndërsa reagimet destruktive janë në dorën e cilitdo, por jam i bindur që kjo nuk do të cenojë normalitetin e vendit apo të qeverisjes”, - u shpreh dje Meta. Sipas tij, Shqipëria ka vetëm një axhendë, që është axhenda e reformave, e integrimit europian. “Kush dëshiron që krizën e tij ta kthejë në një krizë për të gjithë vendin, e ka shumë gabim, sepse do të mbetet i izoluar”, - deklaroi dje ministri i Jashtëm i vendit.
Integrimi
“Ndërsa ne, në procesin e integrimit europian, sidomos në përgatitjet tona lidhur me pyetësorin që pritet në muajt që vijojnë nga Komisioni Europian, do të angazhojmë të gjitha kapacitetet më të mira, në të gjitha fushat që kanë të bëjnë me integrimin europian, pa asnjë paragjykim”, - tha dje kreu i LSI-së. Meta dje bëri gjithashtu një panoramë të shkurtër të vizitës së tij në Stamboll, ku u zhvillua takimi i ministrave të Jashtëm të Europës Juglindore, pas marrjes së kryesimit të këtij procesi nga Turqia. “Një ngjarje e rëndësishme për rajonin tonë, aq më tepër që kjo përkon edhe me shumë sfida të rëndësishme për Shqipërinë dhe për Ballkanin Perëndimor”, - tha Meta.
Papandreu
Një vend të veçantë në konferencën për shtyp të ministrit të Jashtëm zuri dhe takimi i tij në Greqi me kryeministrin e sapozgjedhur të Greqisë, Jorgo Papandreu. “Me këtë rast do të përshëndesja në mënyrë të veçantë idenë dhe angazhimin e kryeministrit të ri të Greqisë, z. Jorgo Papandreu, të bërë edhe në takimin e ministrave të Jashtëm në Stamboll, për t’i dhënë një nxitje të re procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian gjatë këtyre viteve që vijnë, ashtu sikurse iu dha në Samitin e Selanikut. Siç e theksoi edhe z. Papandreu, integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të përfundojë mundësisht brenda vitit 2014, datë që përkon edhe me 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, që për fat të keq nisi nga Ballkani. Natyrisht, kjo simbolikë është shumë e rëndësishme, në radhë të parë po të kemi parasysh se përfundimi i procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor do të thotë njëkohësisht edhe një epokë e re për gjithë Europën, pasi nga ky rajon, jo rrallëherë janë nxitur konflikte që kanë përfshirë të gjithë kontinentin”, - nënvizoi Meta.

12 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›