E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshtrat e mbretit, princi Leka II përshëndet vendimin e qeverisë



Princi Leka II, në emër të familjes mbretërore shqiptare, falënderoi vendimin e qeverisë për të kthyer në atdhe eshtrat e mbretit Zogu I. Kthimi i eshtrave të Ahmet Zogut është një kërkesë e hershme e oborrit mbretëror, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë, kryeministri Berisha bëri të ditur vendimin e kabinetit të tij. Princi Leka II, gjatë vizitës që zhvilloi dje në Mat, në kuadër të 114-vjetorit të lindjes së Mbretit Zog, i bëri thirrje Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ministrisë së Ekonomisë, në kuadrin e rikthimit të eshtrave të mbretit Zog në atdhe, të mundësojnë rindërtimin e Mauzoleumit të familjes mbretërore. Sipas trashëgimtarit të mbretit Zog, varrezat janë shenjë e parë e kulturës dhe historisë së një shteti dhe dhënia me qira e varrezave mbretërore për biznese private është absurditet.
Mbreti Zog I u detyrua të largohet nga Shqipëria pas pushtimit të vendit nga Italia në prill të vitit 1939. Mbreti i shqiptarëve vdiq në Paris, Francë, në vitin 1961. Me gjithë amanetin e tij, ai nuk mundi të varroset në Shqipëri, pasi vendi në atë kohë udhëhiqej nga diktatura komuniste. Por edhe pse Shqipëria ka 18 vjet që ka dalë nga regjimi i egër komunist, amaneti i mbretit Zog nuk është vendosur në vend. Kohët e fundit është bërë një kërkesë për kthimin e eshtrave të mbretit Zog në Shqipëri dhe përmbushjen e amanetit të tij. Vetëm tri ditë më parë, kryeministri Berisha paralajmëroi vendimin për kthimin e eshtrave të mbretit. “Vitet para se Ahmet Zogu të zgjidhej kryeministër, president dhe më pas të kurorëzohej mbret i shqiptarëve janë karakterizuar nga një veprimtari e madhe, e gjithanshme, patriotike, e zjarrtë e tij, që nga pavarësia deri në momentin e zgjedhjes së tij si kryeministër e më pas si president i vendit. Ahmet Zogu bëri që Shqipëria, e cila pas pavarësisë, për shkak të ambicieve antishqiptare të fqinjëve, por edhe absurditeteve të qëndrimit të drejtuesve lokalë të asaj kohe, po përjetonte një kaos në doktrinën se si ky vend të faktonte që nuk mund të bëhej shtet”, - u shpreh kryeministri.

12 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›