Miku i vjetër i Berishës, “i mahnitur” nga zgjedhjet e 28 qershorit
Zëvendëskryetari i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE), Volfgang Grosruk, deklaroi dje se “zgjedhjet e 28 qershorit ishin zgjedhjet më të mira të bëra ndonjëherë në Shqipëri”. Deklarata e z. Grosruk u bë mesditën e djeshme, në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që po zhvillohet në Athinë. Ajo vjen pak muaj pasi z. Grosruk ishte më kritiku nga përfaqësuesit e OSBE-së lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit, dy ditë pas përfundimit të tyre.
Atëherë, z. Grosruk, duke folur për zgjedhjet, bëri një pyetje publike, së cilës i dha ai vetë përgjigje: “Më pyesni nëse këto zgjedhje ishin me standarde? Po ju përgjigjem: Jo, nuk ishin”, - duke vijuar më tej me nevojat, siç tha, për të përmirësuar situatën zgjedhore në vend. Ndërsa dje, z. Grosruk, në cilësinë e kreut të vëzhguesve të OSBE-së për zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri, doli nga fqinji ynë Greqia, me një deklaratë shumë pozitive: “Shqipëria ka bërë një hap jashtëzakonisht të madh përpara në drejtim të demokracisë. Ne të gjithë ramë dakord se këto janë zgjedhjet më të mira të bëra ndonjëherë në Shqipëri, madje më të mira se ato të vitit 2005”. Menjëherë më pas ai tha se “ne konsiderojmë se disa probleme që konstatuam duhet të zgjidhen deri në zgjedhjet e ardhshme”. Kurse përmbylli duke thënë: “Misioni i OSBE-së në Shqipëri ishte plotësisht i suksesshëm dhe në këtë pikë uroj që Shqipëria të ecë më tej në vazhdën e suksesit, në rrugën e demokracisë”.
12 Tetor 2009