E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me faturat, ERE: OSSH të dëmshpërblejë konsumatorët



nertila maho

Enti Rregullator i Energjisë ka reaguar ndaj OSSH-së për aplikimin e çmimit të ri të energjisë që në dhjetor, duke kërkuar kompensim për qytetarët. Me vendimin e marrë në 25 dhjetor, rritja e çmimit duhet të fillonte që nga 1 janari, por në fatura rritja ka filluar më herët. Shqetësimi për faturimet me çmimin e rritur është ngritur ditëve të fundit, kur qytetarët kanë konstatuar se leximi ka filluar në dhjetëditëshin e fundit të dhjetorit. Në njoftimin për shtyp, “ERE” bën të ditur se i ka kërkuar Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes që të bëjë kompensimin e qytetarëve, të cilëve energjia ju është faturuar me çmimin e rritur. Ndërkohë që burime pranë këtij Enti japin detaje se ky shqetësim është ngritur herët edhe nga vetë OSSH-ja, e cila ishte shprehur për pamundësi teknike në leximin e matësve në një ditë. Në këtë situatë, “ERE” ka rënë dakord që faturimi të bëhej ditët e fundit të dhjetorit, duke kërkuar edhe një monitorim të situatës i cili fillon javën e ardhshme. Monitorimi ka si synim verifikimin e abuzimeve me faturat e energjisë nëse leximi ka filluar më herët sesa afatet e përcaktuara nga vetë enti. Dhjetori është muaji kur konsumi i energjisë është shumë i lartë dhe për këtë edhe rëndësia e verifikimit të situatës së faturimit është cilësuar si primare nga ERE. Në njoftim Enti deklaron se data 1 janar duhet të ishte data e fillimit të aplikimit të çmimit të ri dhe se aplikimi i rritjes që në dhjetor nuk është i drejtë. Monitorimi i javës që vjen pritet të tregojë edhe rezultatet e faturimeve që janë bërë nga OSSH dhe më pas situata do të paraqitet pranë Bordit të ERE-s si një pikë më vete. OSSH nga ana e saj e ka konsideruar aplikimin e çmimit të ri që në dhjetor si një çështje teknike, pasi nuk ekzistojnë mundësitë që të bëhet leximi i gjithë matësve në një ditë. Kritika për faturimet e OSSH-së janë dëgjuar nga radhët e opozitës, të cilët e kanë quajtur këtë si vjedhje ndaj qytetarëve shqiptarë. çmimi i energjisë me vendim të ERE u rrit me rreth 13 për qind dhe ky vendim hyri në fuqi në datë 1 janar të këtij viti. Aktualisht, çekët dhe ERE janë në një proces gjyqësor për shkak se pronarët e rinj të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes nuk janë dakord me rritjen e vogël të çmimit që ERE miratoi për ta në 25 dhjetor.

Faturimi

Konsumi për 10 ditët e fundit të dhjetorit me çmimin e ri.
Nëse një familje për këto ditë ka harxhuar 200 kilovat me çmimin e vjetër që ishte 7 lekë, ajo duhet të paguante 1400 lekë. Me çmimin e ri 7.7 lekë, 200 kilovatët kanë vlerën 1540. Në këtë rast OSSH ka faturuar 140 lekë më shumë.

200kwh x 7.7 lekë
= 1540 lekë
200kwh x 7 lekë
= 1400 lekë
Diferenca
= 140 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›