E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Tiranës 2010 shtyhet sërish



zirina llambro

Shtyhet sërish miratimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2010. Ndonëse me tone më të buta se herët e shkuara, mbledhja sërish nisi me debate. Kryetari i Këshillit, Sokol Dervishaj, deklaroi se kryebashkiaku Edi Rama ka shkelur detyrën e tij për të raportuar në këshill çdo 6 muaj. "Ai e ka shkelur këtë detyrë, por gjithsesi për një çështje kaq të rëndësishme sa është ajo e buxhetit, kryebashkiaku Rama duhet të vinte në mbledhje në mënyrë që këshilltarët të informohen, si duhet dhe për rrjedhojë edhe qytetarët të dinë se çfarë planesh konkrete ka për Tiranën", tha Dervishaj. Ndërkohë kreu i grupit të PD-së në Këshill, Ferdinand Pone, e cilësoi si jo të besueshëm buxhetin e prezantuar nga Bashkia, kjo pasi ka mungesë dokumentacioni, sidomos pasqyra e taksave vendore që vilen. "Asnjë shifër që u është dorëzuar këshilltarëve bashkiakë të Tiranës për buxhetin 2010, nuk është e saktë dhe vlen të diskutohet dhe të vërtetohet", tha Poni. Sipas tij, nuk ka ende pasqyrim as kërkesa e bërë nga këshilltarët demokratë për raportim nga kryebashkiaku për nivelin e ngrohjes dhe të kushteve në kopshtet publikë të Tiranës. "Në dokumentin e prezantuar ndaj nesh, nuk ka asnjë shpjegim as për investimet nga buxheti 2010, se sa është harxhuar dhe sa parashikohet të harxhohet në muajt në vijim", shtoi Poni. Në të tilla kushte, sipas tij, nuk ia vlen të diskutohet më për buxhetin dhe se Bashkisë së Tiranës i duhet lënë kohë për të dhënë informacion të duhur dhe të saktë mbi mënyrën e përdorimit të fondeve të buxhetit 2010. Ndërkaq, sipas këshilltarit demokrat, Njazi Kosovrasti, para se të miratohet buxheti për investimet përkatëse duhet të jetë objekt diskutimi numri i taksapaguesve, taksat e vërteta që paguajnë qytetarët dhe bizneset e Tiranës. Ndërsa nga ana e saj, këshilltarja e Partisë Socialiste, Adriana Berberi, u shpreh se buxheti faktik 2009 nuk është miratuar ende nga Ministria e Financave dhe për këtë arsye, nuk mund t'u kërkohet llogari vendorëve. Sipas saj, raportimi për aq sa është realizuar nga Bashkia e Tiranës është i rregullt dhe të dhënat e investimeve duket se janë më pozitive se vitet e mëparshme. Një tjetër akuzë është bërë nga administrata e Bashkisë ndaj Qeverisë. Sipas nënkryetares, Albana Dhimtri, Qeveria nuk kishte likuiditete në fund të vitit të kaluar dhe prandaj ka përdorur të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Sipas saj, fondet e Bashkisë janë vonuar nga Thesari dhe prandaj në dokumentacionin e paraqitur për buxhetin nga Qeveria, mund të ketë edhe vonesa. "Ju nuk po na lini të prezantojmë buxhetin. Nga administrata është vënë në dispozicion i gjithë materiali i nevojshëm dhe tabelat e investimeve. Ne kemi ardhur për të prezantuar buxhetin dhe ju nuk doni të na lini, kërkoni të na bllokoni", tha Dhimtri, duke iu drejtuar direkt veç këshilltarëve edhe kryetarit Sokol Dervishaj. Ky i fundit kundërshtoi duke shtuar se këto janë veçse fjalë mitingjesh, me nuancë politike, që ajo nuk mund t'i përdorë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Pas një sërë debatesh të kësaj natyre, miratimi i buxhetit u shty për në mbledhjen e radhës.

Debatet

Sokol Dervishaj:
Rama ka për detyrë të vijë dhe të raportojë në Këshill një herë në 6 muaj. Ai e ka shkelur këtë detyrë, por gjithsesi për një çështje kaq të rëndësishme sa është ajo e buxhetit, kryebashkiaku Rama duhet të vinte në mbledhje, në mënyrë që këshilltarët të informohen, si duhet dhe për rrjedhojë edhe qytetarët të dinë se çfarë planesh konkrete ka për Tiranën.

Ferdinand Poni:
Asnjë shifër që u është dorëzuar këshilltarëve bashkiakë të Tiranës për buxhetin 2010, nuk është e saktë dhe vlen të diskutohet dhe të vërtetohet.
Në dokumentin e prezantuar ndaj nesh, nuk ka asnjë shpjegim as për investimet nga buxheti 2010, sesa është harxhuar dhe sa parashikohet të harxhohet në muajt në vijim
Adriana Berberi:
Buxheti faktik 2009 nuk është miratuar ende nga Ministria e Financave dhe për këtë arsye, nuk mund t'u kërkohet llogari vendorëve. Raportimi për aq sa është realizuar nga Bashkia e Tiranës është i rregullt dhe të dhënat e investimeve duket se janë më pozitive se vitet e mëparshme.

Albana Dhimitri:
Ju nuk po na lini të prezantojmë buxhetin. Nga administrata është vënë në dispozicion i gjithë materiali i nevojshëm dhe tabelat e investimeve. Ne kemi ardhur për të prezantuar buxhetin dhe ju nuk doni të na lini, kërkoni të na bllokoni.

Sokol Dervishaj:
Këto janë veçse fjalë mitingjesh, me nuancë politike dhe ju nuk mund t'i përdorni në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›