Sondazhi i “Gallup”: 88% e shqiptarëve pro anëtarësimit në BE
Sondazhi i "Gallup" bën të ditur se 88 për qind e shqiptarëve japin mbështetje për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, duke e parë si mjaft pozitive. Nëse nesër do të mbahej referendumi që vendi t'i bashkohej Bashkimit Evropian, 89 për qind e shqiptarëve do të votonin pro. Sondazhi i Gallup u prezantua dje nga ana e drejtorit Ekzekutiv i "Gallup International", Robert Manchin. Anëtarësimin në BE, shqiptarët e lidhin me lëvizjen e lirë, më shumë siguri në vend dhe forcim të shtetit ligjor. Janë 17 % e këtij grupi të anketuar mendon se është faji i takon BE-së që deri më sot ka lënë jashtë Shqipërinë në këtë proces. Kurse shumica e të anketuarve, 83% e tyre, mendojnë se fajtore për vonesat e integrimit të vendit në BE, sidomos në përpjekjet për liberalizimin e vizave është politika shqiptare. Ndërsa ajo që vihet re është se një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare kërkojnë të ikin nga Shqipëria, kjo pas liberalizimit të vizave. Në sondazh bëhet e ditur se 60% e shohin si mundësi të mirë jetese jashtë Shqipërisë, ndërsa 38% mendojnë të emigronin. Pjesa më e madhe e shqiptarëve mendonin të emigronin në Itali, ndërsa më pak në Britani e Madhe, Suedi, Greqi etj. Për sa u përket çështjes së korrupsionit në sondazh theksohet se 52 % e të anketuarve kanë pranuar se kanë dhënë ryshfet. Ndërsa bëhet e ditur se në sondazh 73 për qind e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është i hapur brenda qeverisë. Shqipëria duket se përbën surprizën e vëzhgimit pasi rezultatet e pyetjeve tregojnë se është rritur ndjeshëm përceptimi në disa faktorë mes të cilëve standardi i jetës apo edhe identifikimi me lidershipin politik. Pavarësisht krizës ekonomike, vlerësimi pozitiv për standardin e jetesës është rritur me 10% në krahasim me vitin e shkuar duke arritur në shifrat e 54% të të pyeturve. Një shifër që është ndër më të lartat në vendet e rajonit.