Alterteksti, SOROS mbledh aktorët për reformën
Reforma e Altertekstit u vu dje në fokus të tryezës së organizuar nga fondacioni “Soros”. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesve të MASH, të bordit të vlerësimit të teksteve, të Drejtorive Arsimore në rreth, të shtëpive botuese të librit shkollor dhe autorë të teksteve. Tryeza u përqendrua gjithashtu në çështje të rëndësishme, si politikat dhe procedurat, zbatimi dhe monitorimi i procesit dhe ndryshimet e reflektuara në udhëzimin e ri. Këshilltari i Ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, foli në takim për ndryshimet që janë bërë në reformën e teksteve shkollore. Sipas tij, në ndryshim nga vitet e shkuara, në këtë reformë ka më shumë kohë për autorët e teksteve dhe për vlerësuesit e tyre, janë përcaktuar rregulla më të qarta për komisionet vlerësuese, janë shtuar filtrat dhe kontrolli për mënjanimin e teksteve të dobëta. Dritan Nelaj, përfaqësues i fondacionit Soros, tha ndër të tjera se arsyeja e tryezës është rritja e transparencës dhe e bashkëpërgjegjësisë të të gjithë aktorëve të përfshirë në procesin e realizimit të Altertekstit. Disa botues si Evis Themeli, Rita Petro, Anila Bisha thanë se ata ishin ndjerë jashtë këtij procesi dhe nuk ishin marrë në konsideratë shqetësimet e tyre.