E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikën Dobjani, “plas sherri” tek AP



Fatos Mahmutaj

Largimi i Ermir Dobjanit nga institucioni i Avokatit të Popullit, nis sherri për pakënaqësitë e para. Skënder Haluci, një prej komisionerëve të Avokatit të Popullit, pohoi dje për mediat se prej disa ditësh ky institucion që po drejtohet prej komisionerit më të vjetër në detyrë, funksionon normalisht në të gjitha fushat ku ushtron veprimtarinë. Sipas tij, janë pritur dhe janë sqaruar të gjithë qytetarët që kanë paraqitur ankesa apo probleme të tjera. Po kështu, zyrat kanë funksionuar normalisht dhe janë kryer të gjitha detyrat në këtë institucion. Por ndryshe nga kjo, komisioneri Haluci në një intervistë televizive ditën e djeshme pohoi se institucioni ku ai ushtron detyrën i ishte drejtuar Komisionit të Ligjeve të Kuvendit për të shqyrtuar shkresën administrative me të cilën Ermir Dobjani, ish-Avokati i Popullit, që i mbaroi mandati pak ditë më parë, ka ngarkuar komisionerin Riza Poda për të drejtuar institucionin derisa Kuvendi të zgjedhë Avokatin e ri. I kontaktuar dje me telefon, Haluci pohoi se nuk duhet të ishte kjo zgjedhja e duhur, ndërsa tashmë, sipas tij shkresën administrative, të fundit që ka firmosur Dobjani, do e shqyrtonte Komisioni i Ligjeve i Kuvendit, dhe do të vendoste për vlefshmërinë e saj. Reagimi publik i Halucit vjen tre ditë pas shkresës së Dobjanit, i cili “komandoi” në detyrë në krye të institucionit, komisionarin Poda. Por, menjëherë sapo Dobjani i komunikoi stafit këtë dokument, pati reagime nga komisionerja Florina Nuni, e cila pretendon se sipas ligjit në fuqi, i takonte asaj që të drejtonte institucionin, pasi ishte më e vjetra në këtë detyrë. Nuni, në këtë pretendim është përkrahur nga kolegu Haluci, i cili pas tre ditësh reagoi publikisht. Ndërkohë burime të tjera, nga institucioni i Avokatit të Popullit, pohuan se Dobjani kishte bërë zgjedhjen e duhur dhe se drejtimi i institucionit nga Poda, sipas tyre, nuk linte asgjë për të dëshiruar. Sipas të dhënave zyrtare nga institucioni i Avokatit të Popullit, dy komisionerët Poda dhe Nuni ndodhen në kohë të njëjtë të ushtrimit të detyrës. Nuni ka një boshllëk prej tre vitesh mes dy mandateve të saj në këtë institucion, ndërsa Poda e ka ushtruar detyrën e komisionerit pa ndërprerje. Kjo për faktin, pasi Kuvendi e ka zgjedhur dy herë radhazi të jetë komisioner në institucionin që për 10 vjet u drejtua nga Dobjani. Po kështu, në ueb-siten zyrtare të këtij institucioni bëhet e ditur se me propozim të Avokatit të Popullit, Parlamenti Shqiptar, më 30 mars 2000 zgjodhi si komisionerë të këtij institucioni: Doktor Jorgo Dhrami e Agron çaushisi dhe zonjën Florina Nuni. Më 29 mars 2003 këtyre u mbaroi mandati 3-vjeçar. Sërish me propozim të Dobjanit, Kuvendi më 22 janar 2004 zgjodhi si komisionerë, Doktor Jorgo Dhrami, Gëzim Lleshin dhe Riza Podën, të cilëve më 21 janar 2007 ju mbaroi mandati 3- vjeçar. Pas kësaj, Parlamenti me propozim të Dobjanit, më 5 nëntor 2007 zgjodhi si komisionerë zonjën Florina Nuni, Riza Poda dhe Skënder Halucin. Pra e thënë ndryshe, sipas kësaj, koha që kanë kaluar në institucionin e Avokatit të Popullit, dy komisionerët Poda dhe Nuni është e njëjtë, nga 6 vjet secili. Poda i ka kaluar pa ndërprerje këto vite, ndërsa Nuni i ka konsumuar dy mandate tre vjeçare me një ndërprerje prej tre vitesh, nga 2004 në 2007. Pikërisht kjo është arsyeja që ka nxitur pakënaqësitë, pasi Nuni pretendon se ka mbajtur detyrën e komisioneres më parë, ndërsa Poda një kohë më të gjatë pa shkëputje. fa.ma.

Mandati i dytë ligjor përfundoi pak ditë më parë
Ermir Dobjani, pas 10 vjetësh kërkon mandatin e tretë në AP

TIRANE - Ermir Dobjani drejtoi për plot 10 vjet institucionin e Avokatit të Popullit, pasi konsumoi në këtë detyrë dy mandate dhe tashmë po përgatitet për një mandat të tretë. Referuar informacioneve të publikuara në ueb-siten zyrtare të këtij institucioni, thuhet se: “Drejtimi i Institucionit të Avokatit të Popullit është monokratik. Avokati i Popullit zgjidhet nga tre të pestat e gjithë anëtarëve të Kuvendit, për një periudhë 5-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje”. Ndërkohë bëhet e ditur se më 16 shkurt 2000, Parlamenti Shqiptar me mbi dy të tretat e votave, 104 nga 155 deputetë, zgjodhi në krye të këtij Institucioni, Doktorin e Shkencave Juridike, Ermir Dobjani. E njëjta gjë u përsërit plot pesë vjet më vonë, më 17 shkurt 2005, kur Kuvendi me mbi 70% të votave; 99 pro, 14 kundër dhe 8 abstenime nga 140 deputetë gjithsej, rizgjodhi për të dytën herë radhazi në postin e Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, i cilin tashmë mban gradat shkencore Profesori i Asociuar dhe Doktor i Shkencave Juridike. Ndërkohë Ermir Dobjani prej katër ditësh, që nga momenti që i përfundoi mandati i dytë, ka braktisur detyrën si kreu i Avokatit të Popullit. Pak ditë më parë, ai pohoi se do të kandidonte për një mandat të tretë në krye të institucionit që drejtoi që nga viti 2000. Por, para se të vendoste për të mbledhur 28 firmat e deputeteve, të domosdoshëm për propozimin e kandidaturës së tij, Dobjani pohoi se do të kërkonte fillimisht mbështetje nga të dy krahët e politikës. Dobjani tha se vetëm nëse do e siguronte këtë mbështetje do i drejtohej 28 deputetëve për t’iu marrë firmat, që në fakt janë kushti kryesor, sipas ligjit, për çdo person që kandidon për postin e Avokatit të Popullit. “Nëse nuk do e gjej mbështetjen, si nga maxhoranca dhe nga opozita, atëherë nuk do kandidoj për mandatin e tretë”, pohoi Dobjani pak ditë më parë. Por ndryshe nga kjo, situata politike në vend ende nuk ka dhënë një zgjidhje për hyrjen e apo jo të opozitës në Kuvend. Kjo për faktin se Parlamenti shqiptar aktualisht përbëhet nga një numër deputetesh që nuk e arrin shifrën e tre të pestave, e domosdoshme për të zgjedhur Avokatin e Popullit. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›