E Diel, 1 Nëntor 2026

Prifti: Gati lista e aseteve që privatizohen



Asetet publike me orientim “privatizimin” do të shpallen së shpejti në një listë të Ministrisë së Ekonomisë dhe për secilin do të ketë informacion të plotë. Duke e vlerësuar këtë si një mundësi të madhe investimi, Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti ka ftuar bizneset ta shohin me kujdes këtë nismë të Qeverisë. “Shqipëria ka menduar që të privatizojë asetet publike dhe shumë shpejt do të shpallet lista e plotë e tyre me informacionin e nevojshëm duke ofruar një dosje të plotë për secilin” tha dje Prifti në Forumin Ndërkombëtar të Biznesit, organizuar nga kolegjet “Turgut OZAL” dhe universiteti “EPOKA”. Më tej ai vuri në dukje se Shqipëria është një ndër vendet me taksa më të ulëta, çka e bën mjaft të favorshëm “të bërit” biznes, kurse legjislacioni në fuqi dhe politikat e ndjekura nga Qeveria garantojnë një klimën shumë të favorshme për investime. “Kemi taksa të ulëta dhe do të vazhdojmë t’i ulim akoma ato, ndërsa për Shëndetësinë dhe Arsimin mendojmë heqjen e tyre” u shpreh Prifti. Dy sektorë të rëndësishëm që ministri solli në vëmendjen e investitorëve ishin ndërtimi dhe turizmi. “Do të kërkoja nga bizneset të shohin seriozisht mundësitë për të investuar në resorte apo fshatra turistike në bregdetin shqiptar, që ofron bukuri të rralla” vazhdoi kreu i Ministrisë së Energjetikës. Duke i bërë një përmbledhje prezencës së bizneseve turke në vendin tonë, ai vuri theksin në faktin që Turqia është partneri i tretë tregtar i Shqipërisë, pas Greqisë dhe Italisë, me një volum rreth 5.3 % të tregtisë në total. “Investimet turke, sipas Bankës së Shqipërisë, zënë rreth 11% të stokut total të investimeve të huaja në Shqipëri”” tha Prifti duke ju referuar statistikave. Pas një përmbledhje të kompanive të huaja të suksesshme në vendin tonë, ministri ka ftuar të tjerë investitorë të ndjekin shembullin në një moment kaq të favorshëm për investime.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›