SHBA: Si ta shmangni Gërdecin
BLEDAR HOTI
Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, e cilëson shumë të rëndësishme procesin e demontimit të armëve që po zhvillohet në Poliçan. Diplomati amerikan inauguroi linjën e re të demontimit të municioneve të kalibrit 7.62 mm. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe zv/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Kundëradmiral, Kristaq Gerveni dhe Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi, Komandant i Brigadës Logjistike. Duke kujtuar dhe njëherë tragjedinë e Gërdecit, Uidhers në deklaratën e tij është shprehur se kjo makineri i vjen në ndihmë Qeverisë shqiptare për të shmangur të tilla ngjarje me pasoja të rënda. "Të gjithë duhet të kujtojmë ditën e tmerrshme të tragjedisë së Gërdecit të 15 marsit 2008, kur ne pamë me sytë tanë shpërthimin dhe të gjithë pasojat që ndodhën. Ishte e tmerrshme dhe shkatërruese. Ajo ngjarje na tregoi se sa shkatërruese është për jetën e njeriut ai shpërthim që ndodhi dhe të gjithë këto armë të pashpërthyera. Faktet flasin vetë pasi në Poliçan po shkatërrohen fishekë me një shpejtësi të madhe dhe ne si Qeveri jemi krenarë që mund t'ju ofrojmë ekspertizën dhe burimet tona për t'ju ndihmuar në këtë proces", deklaroi Uidhers. Diplomati amerikan theksoi se "armët e pashpërthyera janë mjaft të rrezikshme, ndaj të sigurohemi që të mos ndodhin më tragjedi si ajo e Gërdecit. Puna juaj në këtë uzinë dhe puna e të gjithë amerikanëve që punojnë në këto mjedise është që të sigurohemi që këto tragjedi të mos ndodhin më, e që këto armë të shkatërrohen një herë e mirë". Në linjën e re të demontimit të municioneve të këmbësorisë mund të asgjësohen deri në 7.5 ton fishekë në ditë. Ambasadori Uidhers siguroi për mbështjen e qeverisë së tij edhe në të ardhmen në projekte të asgjësimit të municioneve. Një makineri e quajtur TRAZ për demontimin e municioneve është vënë dje në punë. Kjo makineri me teknologji të lartë, e dhënë me qira nga Qeveria amerikane nëpërmjet zyrës së DASH, arrin të demontojë 10 ton municione në ditë. I pranishëm në këtë inagurim ishte edhe zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, drejtues të pushtetit vendor, drejtues të uzinës në Poliçan, si dhe specialistë që monitoruan vënien në funksion të kësaj makinerie që prej ditës së sotme e në vijim. Të pranishmit kanë marrë pjesë edhe në bërjen e një prove gjatë vënies në përdorim të makinerisë TRAZ në Poliçan. Zv/ministri i Mbrojtjes, Spahia shprehu falënderimet për Qeverinë e SHBA-së, për ndihmën që ajo ka dhënë në procesin e demontimit të municionit të vjetër në Shqipëri. Ai deklaroi se tashmë është hartuar një plan i qartë veprimi me afate të përcaktuara për demontimin e plotë të municioneve. Demontimi i armëve fillimisht u krye në zonën e Gërdecit të Vorës nga një firmë private demontimi. Dy vite më parë nga shpërthimi i depos, më 15 mars të vitit 2008, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 veta. Pas kësaj nisi menjëherë procesi i hetimit nga ana e Prokurorisë, i cili vazhdon dhe sot e kësaj dite. Pas kësaj tragjedie, Qeveria mori vendim që procesi i demontimit të mos zhvillohej në ambiente të banuara ku është përqendruar një popullsi e madhe.