Gërdeci, dëshmitarët okularë japin versionin për shpërthimin
Më në fund u ka ardhur radha për t’u pyetur si dëshmitarë për ngjarjen e Gërdecit edhe personave që punonin në fabrikë. Duke qenë dëshmitarë okularë të ngjarjes së rëndë të 15 marsit, punonjësit e fabrikës së demontimit të municioneve luftarake, janë paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme për të dhënë versionin e tyre të ngjarjes, ato që për ditë me radhë i kanë deklaruar nëpër media për gazetarë të ndryshëm. Madje, grupi hetimor që në fillim ka dokumentuar gjithë intervistat e dhëna prej tyre në televizione dhe gazeta, me qëllim pasjen në dispozicion të deklarimeve të pasngjarjes nga ana e tyre. Pas marrjes në pyetje të zyrtarëve ushtarakë, me qëllim dokumentimin e saktë të municionit që ka lëvizur drejt Gërdecit, grupi hetimor ditët e fundit e ka fokusuar punën hetimore te marrja në pyetje e dëshmitarëve okularë të kësaj ngjarjeje, ata që e kanë parë me sy realitetin para, gjatë dhe pas shpërthimit. Gjatë 24 orëve të fundit, nga prokuroria janë marrë në pyetje 6 persona, kryesisht banorë të Gërdecit, të cilët i kanë mbijetuar shpërthimit të fuqishëm në fabrikën që demontonte municione luftarake. Sipas këtyre burimeve, me cilësinë e dëshmitarit këta persona janë pyetur nga grupi hetimor në funksion të zbardhjes së rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Deri më tani prokuroria ka administruar dëshmitë e mbi 200 personave, mes tyre ish-punëtorë të fabrikës së Gërdecit, banorë të kësaj zone, dëshmitarë okularë. Ndërkohë që si përgjegjës të dyshuar për këtë ngjarje prokuroria ka marrë nën hetim gjashtë persona, mes tyre edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.