E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë/ Sekuestrohen dokumente në zyrën e ushtarakut të arrestuar

Hetuesit e Prokurorisë së Kavajës sekuestruan dje një sërë materialesh shkresore në zyrën e specialistit të rekrutimit dhe mobilizimit në Repartin Ushtarak të Kavajës, Xhami Xeka, i arrestuar para tri ditësh për “korrupsion të personave që kryejnë funksione shtetërore”. Lajmi konfirmohet nga burime pranë kësaj prokurorie, të cilat bënë të ditur se dokumentet shkresore të bllokuara (regjistra dhe procesverbale), do të shqyrtohen për zbardhjen e aferës së dyshimtë korruptive në lidhje me rekrutimin e personave për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Sipas të dhënave paraprake hetimore, Xhami Xeka dyshohet se ka lëshuar vërtetime të rreme për persona të ndryshëm për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak kundrejt shumave që shkonin deri në 100 mijë lekë të reja. Ndërkohë, në pyetje për këtë çështje pritet të merren nga prokuroria edhe personat që mendohet se kanë përfituar nga ky lloj "shërbimi", duke shmangur kështu shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Shtetasi Xhami Xeka, 48 vjeç, banues në Hajdaraj, Kavajë, u arrestua tri ditë më parë gjatë operacionit të koduar “Rekrutimi”, me akuzat e “korrupsionit pasiv” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›