E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me pensionet, Prokuroria hetim ish-punonjësve të Sigurimeve Shoqërore



Luan Kondi

TIRANË – Prokuroria do ta shtrijë hetimin për dosjet e pensioneve abuzivë deri tek ish-punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Burime të sigurta u shprehën se lidhur me abuzimet me pensionet e pleqërisë deri tani numri i dosjeve të marra në shqyrtim gjatë këtij viti nga Prokuroria e Tiranës ka shkuar në 200. Të njëjtat burime pranë kësaj Prokurorie bënë të ditur të për gazetën “Albania” se dosjet në fjalë u përkasin personave të ndryshëm, të cilët mendohet se kanë përfituar pension pleqërie përmes falsifikimit të dokumente zyrtare dhe mashtrimit me vjetërsinë e punës.
Abuzimi
Sipas këtyre burimeve, dokumentet shkresore të këtyre dosjeve po i nënshtrohen ekspertizave përkatëse, të cilat në shumë raste kanë provuar falsifikimin e dokumenteve me qëllim përfitimin e pensionit të pleqërisë. Nga ana tjetër, të shumta janë edhe seancat e intervistimit që po realizohen në prokurori me personat e dyshuar për përfitim pensioni në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë që hetimet kanë përfshirë edhe ish-punonjës të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, të cilët mendohet se kanë favorizuar individë të caktuar në marrjen e pensionit të pleqërisë. Nga të njëjtat burime mësohet se hetimet e Prokurorisë së Tiranës janë shtrirë në kohë duke përfshirë edhe vitin 1998, kohë kur janë evidentuar shkelje me procedurat e dhënies së miratimit për pension pleqërie. Për llogari të këtyre hetimeve në pranga javët e fundit kanë përfunduar disa persona, mes tyre edhe ish-drejtues të Minierës së Priskës, të akuzuar për abuzime me pensionet e pleqërisë.
Zbulimi
Hetimet për këtë çështje, nisën në mars të këtij viti nga Prokuroria, pas kërkesës së policisë për procedimin e mbi 12 personave që dyshohet se përmes dokumenteve false, kanë përfituar pension të parakohshëm qysh në vitin 2000. Nën hetim gjithashtu janë edhe ish-punonjës të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Rreth 6 kategori mendohet se kanë abuzuar me pensionet. Inspektimet prej disa kohësh nëpër dosjet e përfituesve kanë dhënë dhe rezultatet e para, që i përkasin kryeqytetit. Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, bëri publike gati dy javë më parë dosjet me të cilat mendohet se kanë abuzuar qytetarë të ndryshëm, duke kryer një sërë shkeljesh. Prej më shumë se një viti, një nga prioritetet e ISSH-së ka qenë pastrimi i skemës nga përfitimet e padrejta. Gjatë verifikimeve janë konstatuar shkelje në dosjet e pensioneve në korrigjime të periudhave në regjistrat themeltarë (data, muaji, viti). Shumë qytetarë, për të përfituar pension, kanë dubluar periudhat e punës. Një kategori tjetër që mendohet se kanë abuzuar me përfitimin e pensioneve janë edhe ata persona që u është konstatuar mospërputhje të vërtetimit të ditëve të punës në kooperativat bujqësore të dorëzuara në dosje me regjistrat ekzistues, të dorëzuar më pas në arshivën e DRSSH-së Tiranë dhe së fundi është vënë re një mosekzistencë e emrit të përfituesit në indekset e ndërmarrjeve apo minierave.

Dëmi

Fenomeni i pensionisteve mashtrues dhe i abuzimeve të bëra nga zyrtarët e ISSH-se me dosjet e pensionisteve, ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat e Krimit Ekonomik në Tiranë. Oficeret e Task-Forcë Antikorrupsionit dhe Krimit Ekonomik zbuluan skandalin në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Plot 218 persona, të cilët nuk e kishin mbushur ende moshën e pensionit dhe merreshin me aktivitete private, për tetë vite me radhë kanë përfituar me pa të drejtë pensione të paligjshme. Skandali me pensionet e parakohshme dyshohet se është i përmasave më të mëdha, ku vlera arrin në shifra marramendëse, duke pasur parasysh se ky skandal ka vijuar për 8 vite radhazi. Vlera e dëmit të shkaktuar arrin në mbi 120 milionë lekë. Sipas të dhënave, profesioni i punëtoreve të minierave hyn në ato profesione me trajtim të veçantë për shkak të vështirësisë dhe vlera minimale për një pension të parakohshëm është 6 mijë e treqind lekë për person.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›