E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet strategjia për transportin 2008-2013-n. Bode, kritika për mungesën e afateve



Ministria e Punëve Publike ka paraqitur në Këshillin e Ministrave strategjinë sektoriale të transportit 2008-2013, nga ku mësohen projektet që janë zbatuar në dy vitet e mëparshme dhe ato që priten. E ndarë në kapituj në varësi të sektorit të transportit, MPPTT-ja i ka kushtuar rëndësi transportit rrugor, duke hedhur të dhëna rreth gjatësisë së rrugëve, shumës së financimit dhe institucionin që e bën të mundur atë. I vetmi fakt që ra në sy te strategjia ishin afatet se kur do të përfundonin punimet për ndërtimin e disa akseve rrugore, kontratat e të cilave janë lidhur dy vjet më parë. Kjo mangësi informacioni kishte rënë në sy të ministrit të Financave, i cili mban përgjegjësi për fondet e buxhetit të shtetit. Konkretisht, tek akset rrugore Lushnjë-Fier-Vlorë, Fier-Levan-Tepelenë, të cilat ndodhen në jug të vendit dhe te Milot-Rrëshen apo Rrëshen-Kalimash, në veri të vendit, ku për të dyja skajet janë lidhur kontratat me kohë për fillimin e punimeve, Ministria e Punëve Publike kishte vendosur vetëm koston për ndërtimin e tyre, si dhe institucioni që kishte bërë të mundur marrjen e kredisë. Për sa u përket afateve se kur do të përfundojnë këto investimeve, MPPTT-ja nuk kishte hedhur asnjë të dhënë, duke e bërë tepër enigmatike fatin e zhvillimit të infrastrukturës rrugore. Për rrjetet rrugore lindje-perëndim dhe veri-jug, ministri i Financave, Bode kishte kërkuar nga ministri Olldashi vendosjen e afateve ose parashikimin se kur përfundojnë këto punime të nisura, aq më tepër kur bëhet fjalë për lidhje kontratash dhe mungesë informacioni të dokumentit më të rëndësishëm siç ishte ky i strategjisë sektoriale për transportin, i cili do të përdoret deri në vitin 2013. Në përgjigje të shkresës së ministrit të Financave, lidhur me afatet, ministri Olldashi sqaronte se, "nuk mund të përcaktohen, sepse realizimi i tyre është një proces gjatë të cilit financimet alokohen sipas volumit të trafikut, progresit teknologjik në industrinë e transportit dhe progresit të rrjetit nacional në tërësi". Për sa i përket merakut për fondet që do të shpenzohen, ministri i Punëve Publike vijon sqarimin duke thënë se, "dhënia me koncesion e ndërtimit të disa rrugëve nacionale nuk do të reduktojë kërkesën për mbështetje buxhetore, pasi ato nuk janë marrë në konsideratë në projektbuxhetin e shtetit, siç është rasti i Thumanë-Rrogozhinë, Tiranë-Elbasan apo Rruga e Arbrit". Pavarësisht mangësive te disa të dhëna, Këshilli i Ministrave e miratoi me shumicë votash strategjinë e rrugëve për vitet 2008-2013.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›