E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Bujqësisë: “Në dy vite 5 mijë fermerë përfituan subvencione”



Rreth 5000 fermerë kanë përfituar subvencione nga shteti, që llogaritet në shumën totale prej 1.5 miliardë lekësh, për periudhën 2007-2008, bëri të ditur Ministria e Bujqësisë. Sipas MBUMK-së, skema e subvencionimit për rritjen e prodhimit bujqësor vendas zëvendësoi në fillim të vitit 2007 projektin “naftë pa akcizë”, i cili rezultoi ineficent dhe aspak transparent për furnizimin e fermerëve me karburant pa akcizë. Nga të dhënat zyrtare rezulton se, vetëm nga kjo mbështetje e drejtpërdrejtë subvencionuese e fermerit shqiptar, është shtuar me rreth 2500 ha sipërfaqja me vreshta e pemëtore. Skema e subvencionit të bujqësisë po vazhdon zbatimin sipas programit të MBUMK-së, ndërkohë që efektiviteti i këtij projekti pritet të shihet vitin tjetër, kur pritet nga qeveria shtimi përsëri i këtij subvencioni për zhvillimin e bujqësisë.

Financat premtojnë realizimin e investimeve publike në masën 100 për qind

Investimet publike, përfshirë ato me financim të brendshëm dhe të huaj gjatë vitit 2008, si asnjë vit tjetër, pritet të realizohen në masën 100 për qind. Kreu i Financave Publike, Ridvan Bode, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp mbi realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore për pjesën e parë të këtij viti se është vërejtur një përmirësim në realizimin e investimeve. "Deri në vitin 2006 janë realizuar më pak se 80 për qind e investimeve publike. Tre vitet e fundit investimet publike janë realizuar mbi 90 për qind, ndërsa gjatë këtij viti investimet publike do të realizohen 100 për qind", - tha Bode. Sipas ministrit Bode, "ajo që ne do të bëjmë gjatë këtij viti është zbritja e deficitit në nivelin 5.2 për qind, që do të thotë se ne do të jemi realistë në programimin e investimeve të huaja, të cilat deri më sot janë programuar sipas kontratave që ministritë kanë pasur me donatorët, por që për shumë burokraci jo vetëm të administratës shqiptare, realizimi i këtyre investimeve mbetej në nivelin 50 për qind, ndërsa këtë vit investimet e huaja do të realizohen 100 për qind". Investimet me financim të brendshëm gjatë periudhës janar-qershor janë realizuar në masën 92.7 për qind, me një mosrealizim prej rreth 895 milionë lekësh, ndërkohë që investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 79 për qind të parashikimit me një mosrealizim prej rreth 4.4 miliardë lekësh.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›