E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tregjet e hapura, kryeqytetasit rrezikohen nga një valë infeksionesh ushqimore



Ervin Koçi

Qytetarët e Tiranës, të cilët, për të kursyer ato pak të holla që kanë, frekuentojnë masivisht tregjet e ndryshme ushqimore nga më të mëdhatë deri tek ato të improvizuara nëpër kthina, duhet të bëjnë kujdes. Temperaturat e larta të këtyre ditëve, pluhuri dhe bloza, por edhe insektet, parazitët e deri dhe brejtës me sëmundje, janë shoqëruesit e rregullt të ushqimeve që ne blejmë nëpër rrugë dhe konsumojmë çdo ditë në tryezat tona. Sipas studimeve më të fundit nga ISHP-ja, nga kjo situatë konsumatorët kryeqytetas rrezikojnë që të marrin sëmundje dhe infeksione nga më të ndryshmet, për shkak të mungesës së kontrollit higjieno-sanitar të ushqimeve që konsumojnë. Nisur nga situata që shfaqet nëpër tregjet e ndryshme ushqimore, ku shiten nga të gjitha produktet, dizenteria apo tifo do të ishin nga sëmundjet "më të lehta", pasi shumë të tjera, si bruceloza, antraksi i kafshëve, apo dhe kolera rrezikohen që të përhapen me ritme mjaft të shpejta. E gjitha kjo vjen edhe për shkak të mungesës së inspektimeve të rregullta dhe të vazhdueshme dhe masave që duhet të merren nga Drejtoria e Sigurisë Ushqimore në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Situata në tregje

Tre tregjet më të mëdha të kryeqytetit, ai i ish-uzinës "Dinamo", ai pranë Stacionit të Trenit dhe tregu pranë "21 Dhjetorit" janë dhe më problematikët përsa u përket kushteve të rënda higjieno-sanitare. Në këto zona tregtohen nga të gjitha llojet e ushqimeve, e për pasojë edhe frekuentimi i qytetarëve është masiv, por kushtet ku mbahen dhe shiten ushqimet janë mjerane. Megjithatë, nuk është marrë asnjë masë përmirësimi. Nga të dhënat e mara nga ISHP-ja, një pjesë e madhe e personave që janë trajtuar në spitalet e kryeqytetit si pasojë e vapës kanë pasur probleme shëndetësore të ardhura nga konsumi i ushqimeve të pakontrolluara. Janë pikërisht kushtet e këqija të tregtimit të tyre që kanë sjellë edhe helmimin e pacientëve.

Alarmi për sëmundjet

Pak ditë më parë, specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, lëshoi alarmin e shpërthimit të brucelozës në vendin tonë, duke sqaruar që ajo vjen kryesisht prej bulmetrave dhe mishit. Djathi, qumështi, gjiza, apo mishi i gjedhëve shiten në kushte skandaloze. Nga ana tjetër, kjo situatë vazhdon të mbetet e njëjtë dhe ende nuk ka asnjë mase nga MBUMK-ja për të shmangur pasojat që mund të vijnë si pasojë e zgjerimit të hartës së kësaj sëmundjeje. Të ekspozuara ndaj baltës, pluhurit dhe farë soj kafshësh e insektesh, konsumatorët rrezikojnë që, përveç ajrit, këtë ndotje ta marrim edhe nëpërmjet ushqimit. Drejtoria e Sigurisë Ushqimore ka premtuar ndërkohë kushte “luksi” për tregjet, e sidomos ato të mishit e bulmetit, ndërsa nuk plotëson dot as ato më emergjentet. Kjo shihet edhe në tregtimin e qumështit, ku megjithëse para një viti u deklarua se në shishet e qumështit nuk tregtohet vetëm qumësht, por edhe produkte të tjera të dyshimta, si dhe ujë në masën 30 për qind, përsëri në tregjet tona qumështi po tregtohet sërish në këto lloj kushtesh të rrezikshme për shëndetin. Por tashmë duket se janë vetë qytetarët, të cilët për të shmangur problemet shëndetësore, kanë zgjedhur konsumimin e ushqimeve në supermarketet e kontrolluara dhe të njohura si “CONAD”.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›